Rita Ora nga shitëse atletesh në një yll ndërkombëtar

Këngëtarja Rita Ora, e cila, sipas shumë mediave ndërkombëtare, do të jetë ylli i 2012-ës, ka publikuar në kanalin virtual “YouTube”, videon në të cilën tregon se si për më pak se një vit, është ngritur në majat e top-listave britanike dhe amerikane. Përmes kësaj videoje që zgjat tre minuta, Rita tregon sesi kur ka qenë 18 vjeç ka nënshkruar kontratën me shtëpinë diskografike më të njohur në botë, që e menaxhon Jay Z, “Rock Nation”.

“Kam nënshkruar një kontratë me ‘Rock Nation’ kur isha 18 vjeç. Isha duke punuar në një dyqan atletesh dhe tani jam nën shoqërinë e njerëzve, talenti i të cilëve më çmend”, – ka thënë Rita.
E që në fillim të kësaj videoje, 23-vjeçarja tregon për diçka që atë e bën krenare. Rita thotë në videon “Të bëhesh Rita Ora”, se ka lindur në Kosovë, pavarësisht se është një vajzë tipike londineze.  “Kam lindur në Kosovë, por jam një vajze tipike londineze dhe prezantoj Britaninë, megjithatë gjithmonë do ta kem në zemër Kosovën”, – ka thënë ajo. Këngëtarja ka treguar se këngën e parë e ka regjistruar në moshën 8-vjeçare. “Muzika është një shpërfaqje e personalitetit tim, ajo çfarë jam unë. Dua që njerëzit të kënaqen me muzikën time dhe nëse e bëj dikë të qesh me këngët e mia, atëherë gjithçka është në rregull”, – ka thënë Rita. “Për mua, muzika duhet të jetë e mirë, që të kesh qejf ta dëgjosh me shoqërinë, të të prekë emocionet dhe të vallëzosh me të. Është kjo ajo çfarë kam dashur të bëj”, – ka shtuar ajo. Sipas Ritës, njerëzit nuk e përshkruajnë atë si një artiste të zakonshme. “Unë kam personalitetin tim. Kam qenë duke përgatitur këngën e parë para dy vitesh dhe tani besoj se kur njerëzit e dëgjojnë, e pëlqejnë”, – ka thënë ajo më tej. Dhe duket se tashmë Rita është kudo. Është publikuar gjithashtu edhe videoja zyrtare e këngës “RIP”, një bashkëpunim ndërmjet këngëtares kosovare dhe këngëtarit të njohur botëror, Tinie Tempah. Kënga “RIP” do të jetë pjesë e albumit, për të cilin Ora po punon prej kohësh. Ishte spekuluar një kohë, se kjo këngë ishte bërë për Rihannën, por bosi i “Rock Nation”, Jay-Z, vendosi t’ia japë Ritës ta këndojë. “I used to be”- thotë teksti i këngës duke lënë të nënkuptohet që Rita Ora i ka thënë lamtumirë vajzës së thjeshtë për t’u bërë tashmë një star i muzikës pop.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni