Rishikimi i buxhetit të këtij viti nuk do të sjellë asnjë risi për realizimin e projekteve në vendbanimet shqiptare. Kështu thonë afaristët të cilët shprehen se që nga miratimi i këtij buxheti është parë qartë se ai është politik, ndërsa realizimi i projekteve shqiptare ka qenë i cunguar. Kryetari i OEMVP-së Menderes Kuçi thotë se siç duket ky rishikim i buxhetit nuk do të anashkalojë edhe realizimin e investimeve kapitale, përkatësisht realizimin e projekteve infrastrukturore që janë çelësi për zhvillimin ekonomik të një vendi.
“Me sa duket ky rebalancë nuk do të anashkalojë shkurtimin e këtyre segmenteve edhe pse thash se që në prurjen e buxhetit për vitin 2012 në këtë segment nuk janë parashikuar investime përpos disa projekte për hapjen e rrugëve të reja. Megjithatë kudo që të preken investimet kapitale në shtet ajo reflekton negativisht gjithmonë në Ekonomi”, tha Menderes Kuçi, Kryetar i OEMVP-së
Rishikimi i fundit, buxhetin e ministrisë së Ekonomisë e ka shkurtuar për 206 milion denarë, prej të cilave 190 milion janë shkurtuar nga fondet për zhvillimin e zonave të lira ekonomike. Por ministri i Ekonomisë Valon Saraçini u shpreh kjo nuk do të thotë se do të ketë ngecje në zhvillimin e këtyre zonave. Ai thotë se në anën tjetër janë rritur fondet për paga të cilat janë parashikuar për 48 punësimet e reja të realizuara muajve të kaluar.
“Pra analizat, dinamika dhe aktivitetet që mbeten deri në fund të vitit janë në koordinim me buxhetin e ministrisë dhe besojmë se edhe këto mjete të parashikuara me ribalancin e ri janë të mjaftueshme për operacionalizimin e aktiviteteve tona. Ndërsa. Buxheti i ministrisë së Ekonomisë si ministri në veçanti ka njëfarë rritje prej 7 për qind ku shumica e fondeve është rritje për rroga”, deklaroi Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Ndërsa zv/ ministri i Transportit dhe Lidhjeve Tahir Hani, thotë se me rishikimin e fundit, buxheti i kësaj ministrie është shkurtuar për 30 për qind. Sipas tij me këtë pritet që pjesërisht të ndërpritet ndërtimi i disa rrugëve rajonale afati i të cilave është shtyrë në vitin 2013.
“Në këtë drejtim kemi edhe projektin e rrugës Haraçinë-Kumanovë-Likovë, projekt i cili ishte parashikuar të ketë një investim prej 21 milion denarë dhe ato mjete janë të shkurtuara”, u shpreh Tahir Hani, zv/ ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Projekt-rishikimi i buxhetit për vitin 2012 para Komisionit për financa dhe buxhet pritet të jetë javën që vjen, ndërsa pas përfundimit të debatit, Kuvendi do ta miratojë. Në 20 vitet e fundit kjo është hera e parë që rishikimi i buxhetit të bëhet në pjesën e parë të vitit./alsat-m

SHPËRNDAJE