Rikthimi i shkrimtarëve të përjashtuar

 

Bëhet fjalë për një periudhë që kap fillimshekullin e 20-të e këndej. Periudha, autorët, veprat dhe dukuritë letrare për të cilat shkruan Arben Prendi janë ndër më problematiket dhe më të ndërlikuarat në historinë e letërsisë shqipe

Në një kontekst të ri politik, ka vend për një rishikim të letërsisë shqipe. Libri “Tekste në kontekste” i Arben Prendit, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2011, përmban studime për letërsinë shqipe bashkëkohore apo “të kësikohshme”, siç e pati cilësuar Lasgush Poradeci rreth 70 vjet më parë. Bëhet fjalë për një periudhë që kap fillimshekullin e 20-të e këndej. Periudha, autorët, veprat dhe dukuritë letrare për të cilat shkruan Arben Prendi janë ndër më problematiket dhe më të ndërlikuarat në historinë e letërsisë shqipe. Libri “Tekste në kontekste” i identifikon qartë interesimet e tij shkencore në të dyja drejtimet kohore: në retro dhe në perspektivë. Arben Prendi në mënyrë të vijueshme studion veçmas “të përjashtuarit” nga komunikimi letrar, nga historia e letërsisë, nga shkolla, nga kërkimi shkencor: autorë, vepra dhe zhvillime letrare që me një fjalë të vetme për një kohë të gjatë quheshin reaksionarë ose armiqësorë. Zgjedhjet e studiuesit janë pikërisht në këtë funksion: si të mundësohet sërish barazia kundrejt bukurisë së fjalës shqipe, në kushtet kur kufirin nuk e përcakton më pajtueshmëria ideologjike, por gjuha vetë. Disa nga autorët që trajtohen në këtë libër janë Anton Harapi, Anton Nikë Berisha, Ernest Koliqi, Faik Konica, Gjergj Fishta, Kolë Kamsi, Martin Camaj, Pjetër Arbnori, Skënder Drini, Simon Filipaj, Shtjefën Gjeçovi, Vinçens Prennushi etj.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni