Një 21-vjeçar në SHBA u rikthye në jetë nga një gjendje “e pakthyeshme” kome, vetëm disa orë përpara se t’i hiqnin organet për t’i transplantuar në pacientë të tjerë. Studenti Sam Schmid, nga Arizona, ishte i shtruar që prej disa javësh në spital pas një aksidenti me veturë dhe gjatë gjithë periudhës së komës ai mbahej në jetë nga një aparaturë. Sipas mjekëve, truri i tij kishte vdekur dhe do të ishte e pamundur që Schmid të rikuperonte funksionin e tij. Të përballur me këtë të vërtetë të trishtuar, familjarët pranuan që të jepnin organet e të birit për transplantim. Vetëm disa orë përpara se ai të futej në operacion, 21-vjeçari filloi të jepte shenja jete. “Që prej aksidentit, kam qëndruar përkrah shtratit të tij duke u lutur. Vazhdova të lutesha edhe në ato që do të ishin momentet e fundit të jetës së tim biri, kur papritmas, ai lëvizi dy gishta të dorës”, kujton e përlotur nëna e tij. Pasi njoftuan mjekët, një skanim i detajuar iu bë trurit të të riut dhe një neurolog arriti në përfundimin se trauma, që në fillim besohej si e parikuperueshme, në të vërtetë nuk ishte e tillë. Hemorragjia që kishte pësuar në tru pas aksidentit ishte pastruar dhe ajo nuk e kishte prekur pjesën më jetike të trurit. Në ditët në vazhdim, Schmid rikuperoi pak nga pak funksionet e trupit dhe ai mund të rikthehet në shtëpi për Krishtlindje pa asnjë problem fizik apo mendor. Megjithatë, nëse ajo lëvizje e lehtë e gishtave do të kishte ardhur vetëm disa orë më pas, 21-vjeçari sot do të jetonte vetëm në trupat që do të merrnin organet e tij.

SHPËRNDAJE