I pyetur se a u është realizuar një nga qëllimet tuaja jetësore, mbase edhe njërën nga ëndrrat më të pambërrijtshme, për të qenë i pari i vendit, presidenti Pacolli ndër të tjerash u përgjigj: Mund të them se do të jem president i të gjithë Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe të gjithë janë njësoj për mua, dhe do t’i trajtoj njësoj, do të punoj për të gjithë, pa marrë parasysh se çfarë etnie, çfarë përcaktimi politik kanë, çfarë shtrese të forcës blerëse i takojnë ata. Më bëri përshtypje porosia e bacës Rifat, kur vizitova familjen e Jasharajve. E kam konsideruar gjithmonë atë familje, një institucion real të shtetit tonë, ndaj kam kërkuar edhe para se të bëhesha president, që ajo familje së bashku me familjet e tjera të dëshmorëve të mëdhenj të lirisë dhe shtetësisë sonë, të kenë një përfaqësi në Prishtinë. E dini ç’më tha baca Rifat me një ndjenjë drejtësie që më preku shumë? Mundohu të bëhesh numri një i vërtetë i popullit të Kosovës! Shikoji të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të barabartë, pavarësisht etnisë, sepse asnjë vend nuk është i pastër etnikisht. Por, mos lësho asnjëherë pe, kur ta kërkojë e drejta! A nuk është kjo diçka fisnike, veçanërisht fisnike kur vjen nga përfaqësuesi i kësaj familjeje të madhe që ka përjetuar aq shumë dhimbje? Unë përkulem me respekt para kësaj familjeje, para të gjithë familjeve të heronjve të Kosovës, që i dhanë gjithçka të shtrenjtë popullit. Dhe do të punoj për amanetin e tyre…(Bota sot)

SHPËRNDAJE