Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se çdo veprim për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do të bëhet në koordinim me EULEX-it dhe KFOR-in.

Të premten në Mitrovicë është bërë inaugurimi i kampit `Belvedere’ në të cilin më parë kanë qëndruar ushtarët francezë të KFOR-it, e që tani i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës për nevojat e saja.

Rexhepi theksoi se në këtë kamp do të vendosen njësitë speciale operative të rajonit të Mitrovicës dhe trafikut rajonal, të cilët deri më tani kanë punuar në kushte të vështira. Sipas tij, tash do të ketë kushte më ideale për punë të këtyre njësive në këtë kamp, duke përmendur këtu edhe hapësirat për ushtrime, etj.

Ndërkohë që në veri vazhdon të jetë situata e tensionuar për shkak të bllokimit të rrugëve nga serbët e rebeluar, ministri Rexhepi ka bërë të ditur se çdo veprim lidhur me veriun do të bëhet në koordinim me misionet ndërkombëtare në Kosovë.

“Për momentin nuk kemi ndonjë plan të veçantë as për aksione vetëm të njësive speciale, as për aksione për gjyqin e qarkut, siç ka qenë ky plan veprues për pikën 1 dhe 31. Çdo gjë do ta bëjmë në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in”, ka thënë Rexhepi.

Për më tepër, ai ka theksuar se si pasojë e gjithë kësaj gjendja në veri është rënduar dhe se qytetarët kanë mbetur peng të grupeve kriminale serbe në këtë pjesë të vendit.

“Jemi duke shqyrtuar ose vëzhguar situatën me vëmendje. Natyrisht se këto barrikada janë bërë pengesë në rend të parë për një jetë normale të vetë qytetarëve në veri të të gjitha komuniteteve. Ato pamundësojnë furnizimin me gjëra elementare qoftë edhe ushqimore ose të natyrave tjera, pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, qarkullimin e tyre për nevoja shëndetësore, shkolla etj. Kanë mbetur këta qytetarë peng të grupeve të caktuara qoftë kriminale ose të interesit, dhe kjo situatë ka filluar të bëhet e padurueshme. Ne në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që qytetarët e pafajshëm të pësojnë për shkak të interesit të grupeve të caktuara, ose politike radikale”, është shprehur ministri Rexhepi.

Gjendja në veri serish është tensionuar pas vendosjes së doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31, më 16 shtator, gjë e cila është kundërshtuar nga serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugët, duke pamundësuar në këtë mënyrë qarkullimin e lirë të qytetarëve. Serbët madje kanë sulmuar KFOR-in, duke lënë të plagosur disa ushtarë të misionit paqeruajtës në Kosovë.

SHPËRNDAJE