Boton hartën e Ballkanit pa shtetin e ri shqiptar

Nga Matilda Troka (SHQIP)

Një pakujdesi mund të marrë përmasat e një skandali: revista amerikane më e njohur në botë, “Time”, e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin i pari komb demokratik që njohu shtetin e Kosovës, por ndryshe ndodh me revistën prestigjioze. Në botimin më të fundit, atë të janarit 2012, revista sjell një intervistë të zgjeruar me Presidentin e SHBA-së, Barak Obama. Gazetari i njohur, Fareed Zakaria, duke u bazuar te strategjia e deritanishme e Obamës, analizon pozicionin e superfuqisë botërore, përballë konflikteve në arenën ndërkombëtare. Ky bashkëbisedim ndryshe me Obamën në optikën e Zakarisë, mban në vetvete edhe “skandalin” e Kosovës.

Në faqen 27, revista shfaq një hartë të botës. Harta, përveç kufijve territorialë të shteteve të mbarë globit, paraqet praninë e forcave amerikane, përqendrimi i të cilave jepet në katër ngjyra, duke filluar që nga e kuqja që tregon vendet ku ndodhen mbi 50 mijë trupa amerikane, për të vijuar me ngjyrën e zezë, ku prania amerikane është nga 1000 deri në 50000 trupa, grija e errët tregon një prani më të ulët se 1000 trupa dhe e bardha tregon vendet ku nuk ka ushtarë amerikanë. Ajo që bie në sy fare lehtë jo vetëm nga shqiptarët, por në përgjithësi nga ballkanasit, është mungesa e Republikës së Kosovës në hartë.

Në hartë shquhet fare qartë Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia. Brenda kësaj të fundit “Time” duket se ka përfshirë edhe Kosovën, sikur këto dy shtete të kishin varësinë e dikurshme.

Ky gabim në revistën prestigjioze pritet të sjellë reagim nga komuniteti shqiptar në Amerikë, por ende asnjë nga organizatat e shqiptarëve nuk ka pasur ndonjë deklaratë.

SHPËRNDAJE