Kombëtarja shqiptare ngjit një vend në renditjen e FIFA-s, nga vendi i 75-të në të 74-tin, duke grumbulluar 450 pikë.

Edhe pse nuk kemi zhvilluar asnjë ndeshje, falë humbjeve të rivalëve në takimet e tyre arrijmë të përfitojmë një pozicion. Në pritje të dhuratave të tjera të kësaj natyre, sepse deri më 29 shkurt kur dhe do të luhet miqësorja ndaj Gjeorgjisë nën drejtimin e teknikut të ri Xhani De Biazi, kombëtarja nuk do të ketë asnjë impenjim tjetër.

Me këtë renditje të publikuar nga FIFA, Shqipëria lë prapa Uzbekistanin, Trinidad Tabagon, Gabonin, Irakun dhe Zambian. Ndërsa Kombëtarja jonë, që tashmë ka zgjidhur tashmë edhe enigmën e trajnerit, ka përpara saj Gjeorgjinë, Kanadanë, Kinën, Austrinë etj. Në grupin që Kombëtarja shqiptare do të ketë për eliminatoret e “Kupës së Botës 2014”, i cili do të zhvillohet në Brazil, do të ketë këto skuadra: Islandën, Qipron, Zvicrën, Norvegjinë dhe Slloveninë.

Nga këta kundërshtarë Kombëtarja e Zvicrës ka grumbulluar 898 pikë dhe ndodhet në vendin e 17 në renditjen botërore dhe në vendin e 12 në renditjen e UEFA-s. Me këtë renditje, kjo kombëtare nuk ka lëvizur nga pozicioni, ku ka qenë më parë. Pas Zvicrës, kundërshtari tjetër është Norvegjia, e cila ka mbledhur 788 dhe renditet në vendin e 25-të në renditjen botërore dhe në të 16 në atë europiane. Pas kësaj renditje norvegjezët nuk kanë lëvizur nga pozicioni i tyre i mëparshëm.

Sllovenia, një nga rivalët më të mundshëm për një vend të mirë në këtë grup, ka grumbulluar 8 pikë më pak se Norvegjia, pra 780 dhe renditet në vendin e 26-të në renditjen botërore dhe në vendin e 17-të në renditjen e UEFA-s. Edhe kjo kombëtare ashtu si dy kundërshtarët e tjerë në grupin tonë as nuk është ngjitur dhe as nuk ka humbur pozicion, por ka qëndruar aty ku ka qenë i pozicionuar. Islanda ka grumbulluar deri më tani 325 pikë. Kjo kombëtare pozicionohet në vendin e 104-t në renditjen botërore dhe në të 43-tin në Europë. Edhe kjo kombëtare nuk ka humbur terren nga renditja e mëparshme. Qipro ka grumbulluar gjithsej 253 pikë dhe mban vendin e 127-të në renditjen botërore dhe të 46-tin në Europë. Qipriotët kanë humbur një pozicion nga renditja e mëparshme.

SHPËRNDAJE