Këto ditë në mjetet e informimit qarkullojnë informacione për regjistrimin e studentëve në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Këto informacione vijnë nga institucione të ndryshme. Në njërën anë paraqiten pushtetet lokale, përkatësisht kryetari i Komunës së Preshevës, në kabinetin e të cilit kanë filluar të interesuarit të paraqesin dokumentet e duhura për regjistrim e në anën tjetër del se këtë të drejtë e ka Këshilli Nacional i shqiptarëve të Luginës, i cili ka hapur zyrat përfaqësuese për pranim të dokumenteve.

Fatlum HETEMI

(Student i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, Fakulteti i Edukimit Prishtinë)

 Kush është kompetent në të vërtet ose kush duhet të merret me këtë problematikë? Ku dhe kujt duhet t`i drejtohen maturantët?

Sipas ligjit këtë kompetencë e ka Këshilli Nacional dhe është e drejtë ekskluzive tij. Po me këtë çështje mund të merren edhe komunat ose drejtoritë përkatëse për arsim pranë komunave, nëse ekzistojnë këto drejtori apo Zyra përkatëse për arsim.

Kjo është problematikë shumë delikate dhe që kërkon trajtim dhe zgjidhje adekuate e të qëndrueshme. Pranë Këshillit Nacional janë ngritur me kohë komisione përkatëse për çështje të arsimit, kurse në kuadër të komunave nuk ka Zyra Arsimore të veçanta që merren me këtë problematikë. Në të vërtetë ekzistojnë inspektorë dhe referentë  të arsimit, por që nuk merren me problemet në arsim ose merren në mënyrë shumë sipërfaqësore, më shumë për interesa të politikës lokale e ditore. Ata vetëm vizitojnë institucionet arsimore/shkollat/ për të konstatuar sa është numri i nxënësve dhe a kanë lëndë djegëse, sepse për punë tjera as që janë interesuar ndonjëherë.

Nuk mbahet mend të kenë organizuar ndonjë seminar (pos atij në Durrës që i ngjasonte më shumë një shëtitjeje, sepse pjesëmarrësit ishin më tepër nga institucione të tjera  e jo nga ato shkollore), garë shkollore apo të kenë shpërblyer ndonjë nxënës a arsimtarë për rezultate të arritura në fushën e edukimit dhe arsimimit. Komunat ka shumë vjet që nuk ndarë mjete për shpërblimin e nxënësve shembullor me nga një libër a diplomë. Shpërblime këto simbolike, por që ka shumë kohë që nxënësit e dalluar nuk e kanë shijuar. Garat shkollore dhe aktivitetet tjera organizohen nga vetë shkollat apo nga institucione tjera si: Shtëpitë e Kulturës, Bibliotekat e Qyteteve apo Televizionet lokale. Komunat as që e kanë pa të arsyeshme të ndihmojnë me mjete aktivet profesionale të profesorëve dhe arsimtarëve të lëndëve përkatëse sidomos në harmonizimin e planeve dhe programeve apo ndonjë aktivitet tjetër në fushën e arsimit.

Dhe këtu me të drejtë shtrohet pyetja pse interesohen pushtetet lokale për regjistrimin e maturantëve nëpër fakultete, qoftë në Universitetet e  Shqipërisë apo të Kosovës?

Prandaj duket qartë se pushtetet lokale, sidomos regjistrimin e studentëve, dëshirojnë ose plotësisht po e shfrytëzojnë për qëllime politike, për poenë politikë dhe nepotizëm(regjistrimin e të afërmeve të tyre në fakultete e dëshiruara, kuptohet pa merita dhe pa iu nënshtruar konkurrencës).

Këshilli Nacional me aktivitetin vet dhe të komisioneve përkatëse kanë filluar një punë mjaftë me rëndësi në hartimin, përkthimin e teksteve dhe harmonizimin e planeve dhe programeve mësimore. Ky aktivitet shumë i rëndësishëm dhe delikat paraqet një interesim serioz për zgjidhjen e shumë problemeve në fushën e arsimit, prandaj mendoj se edhe çështja e regjistrimit të studentëve duhet t`i takojë Këshillit Nacional. Ky këshill, gjegjësisht kryesia e Këshillit Nacional ka bërë disa hapa mjaftë serioz në këtë drejtim dhe shpresoj se ky aktivitet është i ndarë nga politika, sepse në këtë drejtim janë aktivizuar edhe kuadro profesionale jopolitike.

Kujt duhet t`i drejtohen maturantët dhe prindërit?

Këshilli Nacional është institucioni më kompetent dhe nxënësit/maturantët nuk duhet të habiten ose të hezitojnë të lajmërohen te zyrat e Këshillit Nacional, sepse ata dhe prindërit e tyre nuk do të kushtëzohen dhe nuk do të injorohen, por do të trajtohen drejtë dhe në mënyrë të barabartë. Këshilli Nacional nuk do t`i injorojë dhe iritojë ata.

Ju rikujtoj se Këshilli Nacional ka kompetenca ligjore në fushën e arsimit në bazë të Ligjit mbi Këshillat Nacionale, ligj ky i miratuar në bazë të rekomandimeve të Bashkësisë Evropiane dhe Institucioneve relevante ndërkombëtare. Spektri politik i Kosovës Lindore duhet ta mbështesë Këshillin Nacional dhe niveli i tij duhet ngritur në shkallë më të lartë, në këshill mbipartiak. Këshilli Nacional duhet të qëndrojë mbi partitë dhe çdo figurë tjetër politike, sepse vetëm si i tillë mund të funksionojë dhe nuk jep mundësinë e manipulimeve partiake e politike.

SHPËRNDAJE