Të zhvendosurit nga Kosova Lindore, që jetojnë në rajonin e Gjilanit, edhe njëherë kanë dëshmuar se e duan vendlindjen, duke marrë pjesë në mënyrë masovike në zgjedhje.

Në Bashkësinë Lokale të Zarbincës, të Malësisë së Bujanocit, e që përfshin disa fshatra, nuk jetojnë më shumë se 100 banorë, por në zgjedhje kanë dalë 1151 votues, që është dëshmi se thirrjes për zgjedhje i janë përgjigjur edhe të zhvendosurit nga këto anë.

Siç thekson Refik Hasani, veprimtar nga Lugina e Preshevës, edhe kësaj radhe të zhvendosurit e rritën numrin e votuesve në komunën e Bujanocit, duke e shtuar fuqinë e shqiptarëve edhe në Asamblenë Komunale të Bujanocit, ngase nga 23 këshilltarë shqiptarë, sa kishte pasur në përbërjen e kaluar, tashti numri është rritur në 30 këshilltarë shqiptarë.

Sipas Hasanit, tashti kur fuqia e shqiptarëve është më e madhe në Asamblenë Komunale të Bujanocit, do të duhej të jetësohej ngritja e zyrës për të zhvendosurit dhe të dëbuarit shqiptarë që tashti jetojnë në Kosovë, Maqedoni, por edhe në vende të tjera. Ai ka thënë se edhe për zgjedhjet në Medvegjë, e të cilat janë shtyrë, do të duhej të kishte një organizim të tillë.

Hasani thotë se tashti do të duhej të nisnin edhe ofertat serioze për kthim të të zhvendosurve në trojet e tyre dhe ky kthim do të duhej të ishte i mbikëqyrur nga OSBE, ngase ka qytetarë që duan të kthehen në bashkësitë lokale të Banjës së Sijarinës, Tupallës, Zarbincës, Muhocit e të Karadakut të Preshevës. Këtyre të kthyerve duhet ofruar kushte, ndryshe druhet se ato treva do të zbrazen edhe më shumë.

“Do të duhej të bëhej regjistrimi i të zhvendosurve, shikimi i mundësive për krijimin e parakushteve për kthim të qëndrueshëm, rregullimi i infrastrukturës, të kthyerit të ndihmohen me mjete të punës e bagëti, rregullim të shtëpive të dëmtuara e realizimin e projekteve serioze që do të mundësonin kthimin”, ka thënë Refik Hasani. / Zëri

SHPËRNDAJE