Gjykata e Apelit në Beograd nulloi një vendim prej dy vitesh heqje lirie ndaj kryetarit të huliganëve të Crvena Zvezdas, Ivan Bogdanov, i cili u bë i njohur në udhëheqjen e trazirave që sollën pezullimin e një ndeshje eliminatore të Europianit, midis Italisë dhe Serbisë në vitin 2010.

Si rrjedhojë e dhunës që ai dhe një grup të tjerë huliganësh udhëhoqën në stadiumin e Xhenoas, ajo ndeshje u pezullua dhe iu dha Italisë në tavolinë me rezultatin 3-0, ndërsa mbi Serbinë u vendos një gjobë e rëndë dhe reduktim pikësh.

Bogdanov, i arrestuar nga policia italiane, u ndëshkua me tre vjet e tre muaj nga një Gjykatë në Xhenoa dhe iu hoq e drejta për të hyrë në vend për dhjetë vjet.

I ekstraduar në Serbi, dënimi i tij u shtua edhe me dy vjet heqje lirie, për agresion ndaj forcave të policisë, pas përfundimit të një ndeshjeje kampionati në vitin 2006.

Megjithatë, për shkak të problemeve proceduriale në grumbullimin e provave, Gjykata e Beogradit anulloi vendimin e dy viteve heqje lirie.

Gjithsesi, Bogdanov do të mbetet në burg, duke vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia italiane. Në incidentet e Xhenoas, kryehuligani mbahet mend edhe për djegien publike që i bëri flamurit kombëtar shqiptar në stadium.

SHPËRNDAJE