Letër nga redaksia e “Bota sot” drejtuar kryetarit të Prishtinës prof.dr.Isa Mustafa, kryetar i LDK-së

Cyrih, 3 qershor / AIK-Presheva Jonë

Redaksia “Bota sot” kërkon nga Prishtina emërimin e një rruge apo sheshi me emrin e Bardhyl Ajetit, ish gazetarit të saj të vrarë para gjashtë viteve. Po ashtu në letër sqarohen arsyet e parashtrimit të kësaj kërkese, përkatësisht nisme. Në letër thuhet:

I nderuar,

Kryetar i kryeqytetit të Republikë së Kosovës, i nderuar kryetar i LDK-së z.Isa Mustafa ju shkruaj në emër të Redaksisë së gazetës kombëtare “Bota sot”, në emër editorit të gazetës z.Xhevdet Mazrekaj që të përdorni autoritetin e juaj dhe të kryetarit të komunës së Prishtinës që në të ardhmen në kryeqendrën tonë një rrugë apo shesh të mbajë emrin e gazetarit Bardhyl Ajeti, i vrarë para gjashtë vitesh (3 qershor 2005) nga persona ende të panjohur.

Nisur nga roli dhe kontributi i Bardhyl Ajetit dhe Bekim Kastratit (gazetar) dhe Besim Dajakut (ish-truproje e presidentit historik Ibrahim Rugova) si dhe angazhimi i tyre në luftë për liri, kundër krimit të organizuar, në avancimit të proceseve demokratike në vendin tonë dhe rajon deri tek Pavarësia e Kosovës besojmë se këta martirë e meritojnë një mirënjohje të tillë.

Besojmë se kërkesa e Redaksisë së “Bota sot” ka arsyet e veta kombëtare për emërimin e një rruge në Prishtinë me emrin e Bardhyl Ajetit apo një sheshi, pse t’mos kemi një “Besimi dhe Bekimi”. Mbetemi me shpresë se kërkesa jonë do të shqyrtohet dhe do të hasë në mirëkuptim dhe përkrahje nga autoriteti juaj dhe qeveritarët e kryeqytetit të Prishtinës. Një përgjigje pozitive e komunës së Prishtinës ndaj kësaj kërkesës së Redaksisë së “Bota sot” për të shpërblyer meritat dhe rolin e këtyre martirëve tanë që ranë për liri për Kosovën e sotme, do të jetë një hap i cili do të çmohej lartë jo vetëm nga Redaksia jonë dhe familjarët e viktimave të rënë për çështjen tonë, por edhe nga mbarë Kosova dhe shqiptarët në Gadishullin Ilirik.

Redaksia e gazetës “Bota sot”

SHPËRNDAJE