Me rezultat prej 3-0, Real Madridi e ka mposhtur APOEL Nicosian, në takimin e parë çerekfinal të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në stadiumin Neo GSP.

Në fraksionin e parë, lojtarët vendas arritën t’u bëjnë ballë sulmeve të Mbretërve dhe e mbajtën të paprekur portën e tyre.

Edhe në pjesën e dytë, mysafirët e kërkuan golin, ndërsa inkuadrimi në lojë i Ricardo Kaka ndryshoi gjithçka.

Braziliani dërgoi një harkim të mrekullueshëm në zonë, të cilin e shndërroi në gol Karim Benzema, për epërsinë e parë të Los Blancos (74’).

Pas një aksioni tjetër të Realit, Kaka e dyfishoi epërsinë falë pasimit të Marcelos (82’).

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Benzema e shënoi edhe golin e dytë personal në ndeshje, ndërsa asistues ishte Mesut Oezil.

Pas kësaj fitoreje, lirisht mund të themi që Real Madridi është në gjysmëfinale dhe pret kundërshtarin e radhës nga dueli Bayern Munich dhe Marseille.

SHPËRNDAJE