Bashkësia ndërkombëtare po shfaq brengosje lidhur me situatën e fundit në Maqedoni duke vlerësuar se kriza politike në vend po thellohet. Ajo nuk dëshiron që shteti të futet në një krizë serioze politike e cila do të rezultonte me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe bën thirrje qe situata e krijuar me bojkotin e opozitës në parlament të tejkalohet sa me pare. Ministri i Jashtëm slloven i cili vizitoi Shkupin tha se të gjitha forcat politike kanë përgjegjësi që të zhvillojnë debatin brenda institucioneve duke apeluar për kthim sa më të shpejtë në Kuvend.

Euroambasadori në Maqedoni Ervan Fuere pas një takimi që pati me liderin e opozitës maqedone Branko Cërvenkosvki theksoi prioritete në të cilat do të duhet të fokusohet Maqedonia .

Atë që e shoh si tejet tragjike në këtë situatë është se vendi po përballet jo vetëm me probleme serioze politike por edhe me ato ekonomike. 30 për qind e popullsisë po jeton në pragun e varfërisë. Qeveria me urgjencë duhet të shqyrtojë këtë çështje edhe përkundër situate aktuale politike. Kjo dukuri e potencon rëndësinë e nevojës që qeveria së bashku me liderët e tjerë politik të punojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve, tha ambasadori Fuere.

Edhe Ambasadori i Hungarisë kryesuesit aktual në BE vlerëson se zgjidhjet nuk duhet kërkuar jashtë parlamentit.

Është çështje e tyre nëse Qeveria dhe partitë politike mendojnë se është koha për zgjedhje të parakohshme. Ne jemi të fokusuar në atë që Maqedonia duhet bërë dhe se opsioni i zgjidhjes së krizës parlamentare më në fund do të jetë dialogu politik e jo zgjedhjet e parakohshme, thotë ambasadori i Hungarisë në Shkup Ferenc Kekesh.

Ndërkohë me një letër kanë reaguar edhe kryesuesit europarlamentar me Maqedoninë Jorgo Shacimarkakis dhe raportuesi i këtij institucioni për vendin Zoran Taler. Ata thanë se Shkupi ndodhet në një udhëkryq serioz. BE është e shqetësuar për zhvillimet e fundit prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive qe të fillojnë dialogun e menjëhershëm për të gjetur zgjidhje. Ndërhyrjet politike në media janë një çështje e një shqetësimi serioz thuhet ndër të tjera në letrën e zyrtarëve nga Brukseli.

Lidhur me situatën e krijuar ka diskutuar edhe partneri shqiptar ne pushet Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga kjo parti thonë se nuk mbështesin idenë e zgjedhjeve të parakohshme ngase vendi fillimisht do të duhet të përmbyll disa procese të rëndësishme për të ardhmen si çështja e emrit dhe regjistrimi i popullsisë.

Deklaron Abdylaqim Ademi , sekretar i të Përgjithshëm i BDI-së. Idea për zgjedhje si dalje nga kriza ka ardhur nga opozita si ajo maqedonase ashtu edhe nga ajo shqiptare. Ndërkohë Qeveria thotë se nuk ka asnjë krizë dhe se institucionet funksionojnë normalisht. Shumica në parlament debaton ligjet edhe pa prezencën e opozitës. Tensionet politike në Maqedoni shpërthyen kur gjykata bllokoi xhirollogarinë e televizionit A1 i cili konsiderohet si më i shikuari dhe kritik ndaj qeverisë. Opozita këtë gjest e vlerësoi si grusht ndaj demokracisë dhe braktisi parlamentin. Nga ana tjetër qeveria vlerësoi se opozita mbronte krimin pasi pronari i televizionit dhe drejtues të tjerë ndodhen në paraburgim me akuza për krime financiare.

SHPËRNDAJE