Pas bisedimeve deri në orët e vona, palët e kanë përshkruar takimin si të dobishëm, por çështja e vetme për të cilën janë pajtuar thuhet të jetë nevoja për një raund tjetër negociatash, muajin e ardhshëm në Bagdad.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se takimi i Stambollit ka qenë “konstruktiv dhe i dobishëm”. Ajo ka theksuar se raundet e ardhshme të takimeve duhet të rezultojnë me “hapa konkretë, drejt zgjidhjes së problemit dhe lehtësimit të tensioneve”.

“Presim që takimet e mëvonshme të çojnë në hapa konkretë, drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të negociuar, e cila rikthen besimin ndërkombëtar në natyrën ekskluzivisht paqësore të programit bërthamor iranian. Kjo është arsyeja përse do të takohemi sërish së shpejti – më 23 maj në Bagdad”, ka thënë Eshton.

Shtëpia e Bardhë ka mirëpritur “qëndrimin pozitiv” të Iranit në bisedimet e Stambollit. Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rods, ka përsëritur komentet e Eshtonit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duan të shohin “hapa konkretë” nga Irani.

Dyshimet se programi bërthamor i Iranit ka për qëllim krijimin e armëve atomike, kanë bërë që Kombet e Bashkuara dhe vendet individuale të vendosin një sërë sanksionesh kundër Republikës Islamike. Kjo e fundit këmbëngul se aktiviteti i saj bërthamor ka qëllime paqësore.

SHPËRNDAJE