Në një intervistë dhënë të përditshmes Danas, Kacin tha se nuk e kupton porosinë e Tadiqit dhe se me mospjesëmarrjen e tij në tubimin e Varshavës, ku ka qenë i pranishëm edhe presidenti amerikan Barack Obama, Tadiqi nuk e ka dënuar Obamën, nëse e ka pasur këtë qëllim.

Ai vlerësoi se është porosi e keqe edhe për Poloninë, vend gjatë kryesimit të të cilit me BE-në pritet që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. 
“Të merresh me çështjen e Polonisë se a guxon apo jo ajo të ftojë dikë mysafir, është e budallallëk”, tha Kacin.

Tadiqi nuk ka marrë pjesë në samitin e vendeve të Evropës së mesme dhe juglindore, sikundër as në Romë, me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, për arsye se në ato tubime është ftuar edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. 

I pyetur se çka mendon për ndarjen e mundshme të Kosovës, siç përmendet nga ca zyrtarë serbë në kohë të fundit, Kacin tha se tërësia territoriale nuk do të vihet në pyetje dhe se asnjë shtet i BE-së nuk do të mbështesë aspirata të tilla të Serbisë. 

“Serbia duhet ta kuptojë se marrëdhëniet e mira me Kosovën janë në interes jo vetëm të Serbisë si shtet, por edhe në interes të serbëve në Kosovë. Kosova nuk mund të ndahet. Ndarja e Kosovës është edhe ndarje e Serbisë në afat të gjatë”, tha europarlamentari slloven.-koha

SHPËRNDAJE