Rama: Zgjedhjet e 8 majit do ti japin Shqipërisë të ardhmen

“Zgjedhjet e 8 majit do ti japin Shqipërisë të ardhmen dhe do ti kthejnë këtij vendi shpresën”, kështu u shpreh nga qyteti i Pukës, Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama gjatë turit “Fajin e ka Saliu”. Kreu i opozitës tha se shqiptarët janë dëshmitarë të varfërisë, papunësisë dhe padrejtësisë.

Në lidhje me skandalin më të fundit të qeverisë Berisha, atë të kontrabandës së naftës, Rama tha: “Skandali i naftës dhe veprimtaria kriminale e kësaj bande përbëjnë një kulm të padrejtësisë. Dhe çka është edhe më rrëqethëse është se sot prapa hekurave është banda që e realizonte kontrabandën, ndërkohë që në tryezën e qeverisë janë ata të cilët i hapin rrugën kontrabandës dhe të cilët lejonin për përfitimet e tyre të drejtpërdrejta dhe marramendëse në para që qytetarëve të këtij vendi tu shitej për naftë një produkt i cili shkatërron makinën, shkatërron ajrin, shkatërron mushkëritë e të gjithë qytetarëve që e thithin atë ajër. E pra ky është regjimi i kusarisë dhe i matrapazllëkut. Ky është regjimi i krijuar për të vjedhur i cili vodhi votat që të vazhdojë të vjedhë Shqipërinë dhe në 21 janar vrau për të vazhduar të vjedhë përmes kontrabandës, përmes korrupsionit, përmes grabitjes së pasurive të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve”.

 

Kjo është Shqipëria që ne sot jetojmë dhe kjo është Shqipëria që ne do të ndryshojmë të gjithë së bashku me fuqinë e bashkimit tonë. Edi Rama nga Puka premtoi se me Partinë Socialiste qytetarët e zakonshëm nuk do të grabiten, nuk do të vriten e nuk do të nënshtrohen e poshtërohen kurrë më. “Kurrë më grabitje. Kurrë më vrasje. Kurrë më nënshtrim dhe poshtërim për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi të cilët janë nën lirinë dhe të drejtën e tyre të besojnë në fenë që duan. Të besojnë në partinë që duan. Të besojnë në shoqërinë që duan dhe askush nuk ka të drejtë ti dhunojë, ti flakë në rrugë, ti lërë pa punë, ti lërë pa shpresë vetëm e vetëm se nuk besojnë atë çka besojnë ata që ulen në tryezën e qeverisë”.

 

Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se PS është e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, papunësia dhe nga burgu i padrejtësisë. “Ne jemi këtu të gjithë së bashku sot në Pukë dhe në gjithë Shqipërinë më shumë se asnjëherë. Sepse më shumë se asnjëherë Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, për të dalë nga papunësia, për të dalë nga burgu i padrejtësisë, ku mbahen mbyllur sot shqiptarët me pahirin e një qeverie që ka vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë dhe që vrau për të vazhduar të vjedhë”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni