Lideri i socialist Edi Rama i bëri thirrje qytetarëve të Peshkopisë të mbledhur në miting të votojnë për kryebashkiak të qytetit në 8 maj kandidatin socialist Ilir Vranici, duke e mohuar me votë politikën e djathtë dhe qeverisjen që e ka lënë Peshkopinë në mëshirë të pabesisë dhe politikës së vjetër.

Duke prezantuar kandidatin Vranici, kryesocialisti Rama u tha zgjedhësve të Peshkopisë se “Nëse jeni vërtet demokratë dhe besoni tek flamuri kuq e zi ju do t’i thoni kurrë më Saliut dhe pushtetit të tij në 8 maj”.

Rama akuzoi kryeministrin Berisha se me politikën e tij të vjetër të ndasisë i ka ndarë banorët e Peshkopisë në të kuq e në blu, duke krijuar kështu një hendek të madh me qëllim që t’i përçajë e t’i sundojë.

Këtu Rama u kujtoi qytetarëve të Peshkopisë se ëndrrat e tyre për t’u zhvilluar post diktaturës komuniste nuk janë bërë realitet as 20 vjet pas ardhjes së demokracisë.

Lideri i opozitës u bëri thirrje banorëve të Peshkopisë të votojnë për të ardhmen e tyre duke u kujtuar se “Peshkopia ku ata jetojnë nuk është vendi i ëndrrave dhe shpresave tuaja”.

“Ky vend është zaptuar nga politika e vjetër e syve të verbër dhe e veshëve të shurdhër dhe e zemrës që rreh vetëm për interesa vetjake, nga Tirana deri në Peshkopi”, tha Rama.

Ai i kujtoi zgjedhësve të Peshkopisë së është pikërisht pushteti që vrau demonstruesit e pafajshëm në 21 janar, dhe që vodhi votat në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 që nuk po e lë Shqipërinë të rimëkëmbet dhe të zhvillohet.

Këtu shefi i selisë rozë Edi Rama u shpreh se koalicioni “Aleanca për të ardhmen” merr pjesë në këtë betejë për të vënë në vend ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve, demokratë apo socialistë qofshin dhe për të mallkuar ndasitë që mbajnë peng shqiptarët dhe Shqipërinë.

SHPËRNDAJE