http://www.botasot.info/img/3525edi.jpgKryetari socialist Edi Rama fton sërish në një debat publik kryeministrin Sali Berisha. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama theksoi se shqiptarët meritojnë të dinë se çfarë ka ai vetë dhe kundërshtari i tij politik Berisha për t’i thënë sy më sy njëri-tjetrit. Po ashtu Rama thekson se shqiptaret meritojnë të dinë në një debat të hapur se çfarë synon opozita me ofertën e saj prej 10 pikash që i ka paraqitur maxhorancës.

“Nëse kryeministri ka një kundërofertë është i ftuar ta paraqesë dhe ne do ta shohim me vëmendje, nëse i adreson më mirë se oferta jonë, ekzigjencat e BE-së”, tha Rama.

Kreu socialist shprehu shqetësim që maxhoranca ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar për paktin për Shqipërinë, si gjithë Evropa, të propozuar ditë më parë.

Arvizu: Berisha-Rama të takohen privatisht

Ambasadori amerikan ne Tirane, Aleksandër Arvizu e ka mirëpritur propozimin e liderit të opozitës Edi Rama për një debat publik përballë kryeministrit Sali Berisha.

“Kam dëgjuar pak për këtë propozim, por nuk kam patur mundësi ta studioj me hollësi. Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë shikoj diçka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por përveç një debati publik mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurt që ata janë të aftë ta bëjnë këtë nëse do të donin vërtet ta bënin”, u shpreh diplomati amerikan.

Ambasadori u tregua i gatshëm që këtë takim ta mirëpresë në shtëpinë e tij: “Nëse do të ndihmonte unë jam i gatshëm të hap derën e shtëpisë sime për të realizuar këtë takim mes dy liderëve, jam i sigurt që edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi do të kishte dashur të ishte në këtë takim. Gjithsesi vendimi i mbetet drejtuesve. Çfarëdo gjëje që ne mund të bëjmë për të lehtësuar tensionin politik, në jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që nevojitet për të realizuar këtë takim. Edhe nga këto festime duket qartë që ne jemi në anën e popullit shqiptar”, tha ambasadori Arvizu.

Rama: Me Berishën takohem vetëm para shqiptarëve

Menjëherë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi në blogun e vet në internet.

Në përgjigje të sugjerimit të diplomatit amerikan për një takim privat me Berishën, Rama tha se privatisht takohet vetëm me miq, ndërsa theksoi se “Saliun e pret vetëm në debat para shqiptarëve”.

Nga ana tjetër kryeministri Berisha nuk ka bërë ende asnjë koment mbi këtë propozim të Ramës.

SHPËRNDAJE