Kryetari i PS-së, Edi Rama u ka kërkuar partnerëve të Shqipërisë që të rishikojnë marrëdhëniet me “regjimin në pushtet”, siç e quajti kreu i opozitës, qeverinë shqiptare.

Ai ka deklaruar se protesta-homazh e ditës së sotme ishte një mesazh i qartë për ndërkombëtarët se nuk ishte opozita që shkaktoi dhunën e 21 janarit, por ishte provokimi që iu bë demonstruesve.

Ai ka deklaruar se protestat e opozitës do të vazhdojnë, ndërkohë që ka theksuar se nuk përjashtohet mundësia për t’iu kthyer dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ajo që ju patë sot është Shqipëria e njerëzve të zakonshëm që nuk lejohen të marrin frymë lirisht, të mposhtur nga korrupsioni dhe armët e gardës. Ky nuk është rasti për dy parti në kërkim të pushtetit, por ka një pushtet që ka vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë dhe një popull për të zgjedhur lirisht. Së fundi ky pushtet ka vrarë për të vendosur në mes të Evropës një regjim fashist. Kjo është Shqipëria e tre burrave të papunë që u vranë më armë zjarri në emër të një alibie për grusht shteti. Në emër të kësaj Shqipërie i kërkoj botës demokratike të shikojë raportet e veta më këtë regjim të cilin ne nuk do të pranojmë kurrë, regjimin e partisë-shtet dhe shtetit-parti. Në emër të kësaj Shqipërie i kërkoj SHBA-ve dhe BE-së të mos tolerojnë më tej në këtë vend gjëra që nuk tolerojnë në shtetin e tyre”, tha Rama.

“Do të vazhdojmë protestat. Kjo është pak, por e sigurtë dhe do të zhvillohen gjithkund ku mund të protestohet”, theksoi Rama.

“Mendoj që ministri i Brendshëm i ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u dorëzuar përpara drejtësisë. Letra e policisë për të mos garantuar homazhet është një arsye që ai të mos jetë më ministër i Brendshëm i qeverisë së Shqipërisë. Demonstrata e sotme që kishte një zemërim edhe më të madh sesa ajo e 21 janarit, ishte jo vetëm paqësore, por edhe shembullore për imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, sepse nuk u provokua siç u bë pabesisht ajo e 21 janarit. Nëse në 21 janar nuk do të kishte një skenar për të inkriminuar opozitën, ajo s’do të kishte bërë asnjë lajm për asnjë jashtë Shqipërisë, sepse nuk do të ishte thyer asnjë xham. Hapave për të vënë në kontrollin e dhunës institucionin e presidentit dhe prokurorinë e përgjithshme duke u bazuar tek dhuna e 21 janarit, tregon shumë qartë se kush e ka dashur, provokuar dhe kush ka arritur të shpërthejë dhunën e 21 janarit: Sali Berisha”, deklaroi Rama.

Duke folur për zgjedhjet lokale të majit, kreu i PS-së ka deklaruar se në këto kushte ku gjendet Shqipëria nuk mund të kryhen zgjedhje të parakohshme.

“Pozicioni ynë për zgjedhjet e majit është edhe më i vendosur se para vrasjeve të 21 janarit, para sulmit ndaj prokurorisë së përgjithshme dhe agresionit ndaj presidentit të Republikës. Të gjitha këto janë arsye më shumë për të thënë se në këto kushte nuk mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri”, tha Rama.

Ai ka deklaruar se opozita është e hapur për rrugën e dialogut dhe se do i kthehet jetës parlamentare për të vijuar rrugën e saj për vendosjen e demokracisë.

“Përpjekja jonë nuk është një luftë për të asgjësuar palën tjetër. Përpjekja jonë nuk është asnjë përpjekje për të nënshtruar palën tjetër, por është përpjekje për t’i dhënë një mundësi të re Shqipërisë duke krijuar kushtet që të gjitha palët të jenë të barabarta përpara ligjit dhe Kushtetutës. Nëse pushteti i kusarisë dhe matrapazllëkut e ka harruar se përballë ka shqiptarë dhe arrin t’i vrasë shqiptarët si të ishin kuaj në filmat bardhezi të fillimit të shekullit të shkuar, ne as nuk e kemi harruar dhe as e harrojmë se përballë kemi shqiptarë dhe përfaqësuesit e një pjese të Shqipërisë, atë që në demokraci duhet të jetë alternativa tjetër për Shqipërinë. Asnjëherë s’kemi qenë, s’jemi dhe s’do të jemi hezitues për dialog”, tha Rama.

“Ne do të jemi në parlament për të çuar përpara këtë betejë dhe do ta shfrytëzojmë hapësirën e parlamentit me çështjet që lidhen me këtë betejë. Do të jemi përballë këtij regjimi dhe do të vazhdojmë të ngremë fuqishëm zërin e një populli të tërë që kërkon fundin e këtij regjimi”, shtoi ai.

SHPËRNDAJE