Kryetari i PS-së Edi Rama ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për nxitje të dhunës në demonstrimin e nesërm, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha, përpara së situata të thellohet dhe të bëhet e paparashikueshme.

Në një dalje për shtyp, kreu i opozitës theksoi se duhet t’i hapet rruga zgjedhjeve, në mënyrë që të jetë populli që të vendosë se kush do të qeverisë vendin.

“Me deklaratat e fundit duket qartë frika e hajdutit që është kapur me presh në duar, që vret dhe shkelmon. Së fundmi është shfaqur edhe ministri i Mbrojtjes i cili është i fundit që duhet të fliste pasi Shqipëria nuk kërcënohet nga asgjë. Prandaj bëhet demonstrata e nesërme që qeveria të mos bërtasë nga frika, shkelmojë nga halli, por të largohet dhe dorëhiqet dhe të pranojë zgjedhjet e reja si rrugëdalje të një krize që nuk e ka shkaktuar opozita, por qeveria dhe po e paguan populli”, është shprehur Rama.

“Çfarë kërkon populli? Të mos vidhet dhe gënjehet. Kaq rëndë. Sy për sy. Dhe ata jo vetëm që e vodhën, por edhe e gënjejnë. Kryeministri duhet të pranojë zgjedhjet e reja si një mundësi për t’i hapur rrugën që të vendosë se kush do i qeverisë. Opozita kërkon atë që kërkon populli. Përmes demonstratave nuk kërkojmë përmbysjen e pushtetit me dhunë dhe as kthimin e një qeverisjeje pa zgjedhje. Të ketë zgjedhje që të fitojnë ata që populli zgjedh”, theksoi Rama.

“Llogarinë populli e kërkon ende përmes nesh dhe për sa kohë ndodh kështu nuk ka dhunë dhe shkatërrime, por demonstrime për kërkimin e zgjedhjeve të lira dhe largimin e qeverisë. Kjo do të thotë se opozita jonë nuk mund të jetë për shumë kohë diga që ruan qeverinë nga përmbytja e pashmangshme e zemërimit popullor. Ne nuk besojmë tek dhuna dhe nuk nxisim dhe pranojmë asnjë formë dhune. Por edhe sa kohë populli do na dëgjojë ne, kur qeveria nuk e dëgjon zërin e popullit të vetë, përkundarzi e vjedh çdo ditë dhe e gënjen se nuk po e vjedh?”, deklaroi Rama.

“Nuk është opozita që duhet ta zgjidhë këtë krizë, por Saliu që duhet të vërë në tavolinë dorëheqjen që të nisë shërimi i kësaj plage që mund të thellohet deri në përmasa të paparashikueshme nëse nuk i jepet e drejta sovranit për t’u shprehur”, përfundoi Rama./TCH

SHPËRNDAJE