Kreu i PS-së, Edi Rama i ka bërë sot thirrje kreut të qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta që të tërhiqen nga ato që ai i quan “veprime antikushtetuese e antiligjore në Këshillat e Fierit dhe Gjirokastrës”.

http://www.botasot.info/img/edi-rama23134.jpgPërmes një deklarate për shtyp, Rama shpreh solidaritet të plotë me zgjedhësit në Fier e në Gjirokastër, duke shprehur shqetësim për “kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër”.

“Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe s’mund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për t’u tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonët bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton”, thuhet në të.

Sipas Ramës, integrimi europian s’është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s’mund të gënjejë as popullin as vetveten për t’u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj.

“Duke mos i hequr asnjë presje deklaratës së sotme në Kuvend të kryetarit të grupit parlamentar socialist, rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo germë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap s’do mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër”, përfundon deklarata.

SHPËRNDAJE