Përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë të ndarë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi, derisa lideri PVD-së, Riza Halimi, paralajmëron pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme në një koalicion, kurse kreu PDSH-së, Ragmi Mustafa, tha se partia e tij do të bojkotojë ato.

Ragmi Mustafa, në një prononcim për agjencinë “Presheva Jonë”, ka thënë se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi do të ishte një shkas më shumë që Beogradi të fitojë përkrahjen evropiane.

“Unë mendoj se ne nuk duhet të jemi përfaqësues të Parlamentit serb, e cila për këtë do të kishte mbështetjen e BE-së”, tha Mustafa, i cili është kryetar i komunës së Preshevës.

Arsyet për bojkot Mustafa i sheh edhe në mundësinë që Serbia të organizojë këto zgjedhje edhe në veri të Kosovës, pas referendumit të serbëve atje, më 14 dhe 15 shkurt.

Mustafa, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që disa nga partitë shqiptare të dalin në zgjedhje në një koalicion dhe të marrin një vend në parlamentin serb. /Zëri/

SHPËRNDAJE