Ragmi MUSTAFA: Lugina e Preshevës kry për krye me Kosovën e veriu me Serbinë

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka deklaruar sot se kjo komunë, ajo e Bujanocit dhe Medvegjës, do të duhej t’i bashkoheshin Kosovës, kurse veriu i Kosovës Serbisë, dhe ka vlerësuar se “propozimi i Borko Stefanoviqit që të bisedohet për ndarjen e Kosovës do të duhej të shtrohej si çështje e përhershme në bisedime”, raporton FoNet.

 

Preshvë, 2 maj / AIK-Presheva Jonë

“Mendoj se kjo është e ardhmja për këtë rajon dhe se pas kësaj, të gjithë së bashku do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian”, citon FoNet Mustafën.  Ai ka përmendur rezultatet “të referendumit nga marsi i vitit 1993, kur shqiptarët e këtyre tri komunave u deklaruan masivisht se dëshirojnë të jenë pjesë e Kosovës”.

Ndërkaq, ndër arsyet që këto tri komuna t’i bashkohen Kosovës ka përmendur edhe Platformën Politike nga viti 2006 të Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë, si dhe “ajo për të cilën ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, e Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB).  “Këto janë tri arsyet kryesore që na bëjnë ta shohim veten si pjesë të Kosovës”, ka thënë Mustafa, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve.

Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është që të gjitha këto probleme të zgjidhen në mënyrë paqësore, ka thënë Mustafa, “që është në interesin e të gjithëve në rajon”.  Sipas vlerësimeve të tij, “propozimi i Borko Stefanoviqit që të bisedohet edhe për ndarjen e Kosovës do të duhej të shtrohej si çështje e vazhdueshme në bisedime”.  Mustafa konsideron se më e rëndësishmja është që “të gjendet zgjidhja më e mirë, që do të kënaqte edhe shqiptarët edhe serbët, dhe të arrihet stabiliteti në gjithë rajonin në rrugën për në BE, që është në interesin e të gjithë neve”.

“Kjo është edhe mënyra për marrëdhënie të mira fqinjësore të të gjitha vendeve në rajon”, është shprehur Mustafa.
I pyetur nëse do të thotë kjo se shqiptarët nga jugu i Serbisë janë të pakënaqur me angazhimin e Beogradit për zgjidhjen e problemeve të këtij territori, Mustafa është përgjigjur se “përpjekjet ishin intensifikuar gjatë 10 vjetëve të kaluara, por shumëçka nga ato nuk janë zgjidhur”.

“Ne jemi përpjekur t’i zgjidhim problemet tona në kuadër të organeve të Serbisë dhe Këshillit Koordinues, por u pa se nuk ka vullnet të mirë të Beogradit që problemet këtu të zgjidhen me të vërtetë, dhe prandaj kërkojmë respektimin e vendimeve të mëhershme”, ka thënë Mustafa.  “Nëse ndodhin bisedime për ndarjen e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa, “shqiptarët nga Lugina e Preshevës gjithsesi do të insistojnë që këto tri komuna të bëhen pjesë e Kosovës”, është shprehur ai.
Kryetari i Lëvizjes për Përtëritjen Serbe (SPO), Vuk Drashkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së Ragmi Mustafës. Sipas FoNetit, ai ka thënë se “kërkesat e disa liderëve lokalë nga Presheva e Bujanoci për njëfarë bashkimi të këtyre dy komunave me Kosovën janë dëshira të tyre boshe”. Ai është shprehur se është “joserioze” të flitet për gjoja ndarjen e Kosovës, meqë kjo do të mund të provokonte “pasoja afatgjata dhe jostabilitet në rajon”.

Sipas tij, “kërkesat e Preshevës e të Bujanocit për t’iu bashkuar Kosovës janë reale dhe këto i dinë ata që i shtrojnë”, është shprehur Drashkoviq. Sipas tij, Medvegja nuk takohet askund as me Bujanocin e aq më pak me Preshevën, meqë këto i ndan dy qytete dhe një komunë – Vranja, Leskoci e Lebane.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni