Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, flet për Express.(Nga Jeton Musliu)

Kujtoj se për hyrjen në Shqipëri gjatë 20 viteve të kaluara, qytetarët e Serbisë, përfshirë edhe shqiptarët, është dashur që të kenë viza hyrëse. Për këtë vizë është dashur të paguhet, megjithatë autoritetet kufitare atje kurrë nuk e kanë zbatuar një vendim të tillë për shqiptarët. Me këtë dua të them se një taksë e vendosur para një muaji për shqiptarët e Preshevës që duan të hyjnë në Kosovë, duhet të hiqet, në mënyrë që atyre t’u mundësohet një qarkullim i lirë, aty ku kanë gjakun e tyre.

 

MUSTAFA: NË SERBI, ATY KU FLITET SHQIPJA 70 PËR QIND TË PA PUNË ?!

Nuk kanë libra për të mësuar shqip. Atje nuk investon askush. Forca të mëdha të xhandarëve serbë janë koncentruar në tërë vijën kufitare me Kosovën. Për këtë arsye, ka filluar braktisja e trojeve të tyre. Regjimin e tashëm në Beograd, e cilësojnë të njëjtë me atë të Milosevicit. Në sytë e tyre, Tadici thjesht ka ndërruar metodat e represionit ndaj shqiptarëve. Ata thonë se janë më të varfrit prej të gjithëve në trojet e tjera të kombit. Këta janë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, flet për Express.

Express: Si e përshkruani situatën aktuale të qytetarëve në Luginën e Preshevës?

R. Mustafa: Gjendja aktuale politike dhe ajo e sigurisë në Luginën e Preshevës, nuk është stabile. Kjo nga vetë fakti se ka probleme në koncentrimin e forcave ushtarake policore të Serbisë, përgjatë tërë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, në një gjatësi jo më pak se 40 kilometra, në komunën e Preshevës. Gjithashtu në komunën e Bujanovcit dhe atë të Medvegjës. Ky brez përfshin diku afër 100 kilometra të vendosjes së forcave serbe, të cilat pa dyshim se cenojnë në mënyrë serioze lirinë e qarkullimit të njerëzve në vendbanimet e tyre.

Express: Nga kjo situatë është duke u zhvendosur popullata shqiptare e Preshevës drejt Kosovës. Nga ajo që dimë, shumë prej tyre janë vendosur në rrethinat e Prishtinës?

R. Mustafa: Po, popullata është duke u zhvendosur në drejtim të Kosovës, por jo vetëm atje. Ata po shkojnë edhe në drejtim të Evropës Perëndimore duke shfrytëzuar pasaportat biometrike të cilat ka tri vite që shqiptarët e Luginës së Preshevës i posedojnë. Në këtë kontest, e tërë çështja është te problemi politik atje, e jo te sqarimet që jep Beogradi, sikur shqiptarët po i keqpërdorin pasaportat biometrike për t’u larguar nga vendi i tyre. Largimi i tyre ndodh për shumë arsye. Ata nuk janë të sigurt në sferën e arsimit, kur mësohet pa asnjë tekst mësimor, në të dyja nivelet e shkollimit, fillor dhe atij të mesëm. Përveç kësaj, shqiptarët e Preshevës kanë edhe probleme në lirinë e qarkullimit, kur jetojnë në një gjendje ekonomike jashtëzakonisht të rëndë. Ndryshe nga vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, në Luginë, 70 për qind e popullsisë janë të papunë. Këto janë disa faktorë pse ata detyrohen të ikin nga vendi i tyre.

Express: Para dy vitesh ka qenë ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta për vizitë në Luginën e Preshevës, derisa para disa ditësh ishte atje edhe kryetari i opozitës, Edi Rama. Nga këto dy vizita, nuk ka lëvizur asgjë për mirë?

R. Mustafa: Mendoj se i gjithë opinioni e njeh sjelljen politike të Beogradit. Pa dyshim se ata nuk mohojnë shumë çështje, kur bisedohet drejtpërdrejt me autoritetet, qoftë ato të Shqipërisë apo në bisedimet Prishtinë- Beograd, por punën nuk e bëjnë kurrë. Në këtë kontest, Beogradi vazhdon me ushtrimin e politikës së Miloshevicit edhe në Luginën e Preshevës. Ndryshimi është se këtë tash e bëjnë me forma, duke mos përdorur tytat e automatikut apo ndonjë dhune siç është përdorur në Kosovë gjatë viteve ‘90. Ata tash praktikojnë metodat, duke lënë pas dore të gjitha të drejtat e shqiptarëve të Preshevës.

Express: Ju keni takuar edhe Ministrin e Diasporës të Kosovës, Ibrahim Makolli. Ka diçka konkrete nga Kosova ndihmë për shqiptarët e Luginës?

R. Mustafa: Ministri i Diasporës tash ka promovuar një faqe të internetit “Gjuha Ime”, e cila i korrespondohet diasporës, atje ku kemi edhe shqiptarët e Preshevës dhe ata të Kosovës. Kjo faqe do t’u ndihmojë fëmijëve që jetojnë atje, të cilët kanë nevojë për gjuhën amtare, për shkronjat shqipe. Vlerësoj se në këtë drejtim është bërë një hap shumë i përparuar. Prandaj, ky program të cilin e ka promovuar Makolli, do t’u ndihmojë edhe shqiptarëve të Preshevës që jetojnë larg vendit të tyre. Por nuk përjashtohet mundësia që edhe fëmijët që jetojnë në Preshevë, ta përdorin këtë faqe.

Express: Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjithmonë janë ankuar se Kosova zyrtare nuk ka bërë aq sa duhet për ta. Tash sërish vijnë ankesa edhe për qarkullimin e lirë. A shihni ju se mund të ndryshohet diçka rreth këtyre ankesave?

R. Mustafa: Për momentin dhe gjatë këtyre 12 viteve të fundit në Kosovë, nuk ka një angazhim të konsiderueshëm të autoriteteve politike dhe atyre institucionale të Republikës së Kosovës në këtë aspekt. Pa dyshim se kjo ka një arsye. Ata janë në një hendek të monitorimit të rreptë nga Bashkimi Evropian dhe nuk guxojnë të lëshohen në drejtim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve, sidomos të atyre në Luginën e Preshevës. Megjithatë, është një politikë relativisht e heshtur. Kujtoj se për hyrjen në Shqipëri gjatë 20 viteve të kaluara, qytetarët e Serbisë, përfshirë edhe shqiptarët, është dashur që të kenë viza hyrëse. Për këtë vizë është dashur të paguhet, megjithatë autoritetet kufitare atje kurrë nuk e kanë zbatuar një vendim të tillë për shqiptarët. Me këtë dua të them se një taksë e vendosur para një muaji për shqiptarët e Preshevës që duan të hyjnë në Kosovë, duhet të hiqet, në mënyrë që atyre t’u mundësohet një qarkullim i lirë, aty ku kanë gjakun e tyre.

Express: Por a besoni se një gjë e tillë do të ndodhë?

R. Mustafa: Mendoj se kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë. Kjo pasi as ne, e as Republika e Kosovës nuk duhet t’i lejojë kompanitë e sigurimeve të përfitojnë nga shqiptarët më të varfër nga të gjitha trojet shqiptare. Po e them këtë sepse shkalla e papunësisë në Luginën e Preshevës është më e madhe sesa ajo e krejt Ballkanit, madje më e madhe sesa ajo e Republikës së Kosovës. E deri te kjo ekonomi, ka ardhur pasi Serbia e ka lënë pas dore këtë pjesë, pasi nuk ka qenë e interesuar që ta zhvillojë Luginën e Preshevës ekonomikisht. Prandaj, konsideroj se me taksën që ata paguajnë për të hyrë në Kosovë, qytetarët e Preshevës në njëfarë mënyre dënohen. Aq më shumë kur dihet se asnjë serb, qoftë i Kosovës apo i Serbisë, këto tarifa nuk i paguan.

SHPËRNDAJE