Zyrtarët serbë nuk do të detyrohen më që të mos marrin pjesë në takimet rajonale në të cilët marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, pasi që Qeveria e Serbisë ka miratuar një instruksion të ri rreth pjesëmarrjes së përfaqësuesve të këtij shteti.

Qeveria e Serbisë në seancën e të dielës ka miratuar instruksionin e ri, i cili u mundëson përfaqësuesve serbë të jenë pjesëmarrës në forumet ku merr pjesë edhe Kosova, në bazë të kushteve të përcaktuara me marrëveshjet në Bruksel.

Ky instruksion, sipas Blic, siguron prezantim asimetrik të institucioneve të Kosovës, ndërsa krahas mbishkrimit ‘Kosovo*’ në të gjitha dokumentet përcjellëse teksti i fusnotës duhet të shënohet në fund të secilit dokument ku përmendet Kosova.

Ky vendim thuhet të jetë marrë për të shmangur dëmet që i shkaktohen Serbisë nga mospjesëmarrja në takimet rajonale, duke përfshirë edhe dëmet direkte dhe indirekte ekonomike.

Zyrtarët kosovarë në këto takime do të paraqiten pa flamur dhe simbole tjera, ndërsa do të kërkohet edhe pjesëmarrja e përfaqësuesit të UNMIK-ut. Sipas Qeverisë serbe, në rast se pjesëmarrësit kosovarë nuk prezantohen në përputhje me këtë instruksion, atëherë përfaqësuesit e organeve serbe do të largohen nga takimi duke shtruar edhe një protestë me shkrim ndaj organizatorit.

SHPËRNDAJE