Ligji i buxhetit i miratuar në mars të këtij viti ndryshon sa u përket shpenzimeve në krahasim me dokumentin ku janë paraqitur shpenzimet shtetërore deri në fund të muajit maj.

Në raportin e përkohshëm të shpenzimeve të publikuar në gjysmën e dytë të muajit qershor, Qeveria ka paraqitur vlerën prej 1 miliard e 504 milionë eurosh si mjete që parashihen të shpenzohen këtë viti.

Kjo vlerë financiare është më e lartë për 70 milionë euro sesa ajo e miratuar në Kuvend në Ligjin e buxhetit 2011, sipas të cilit Qeveria ka planifikuar të shpenzojë 1 miliard e 434 milionë euro në përgjithësi. Ky ndryshim e rrit vlerën e planifikuar të deficitit financiar në fundvit. Në Ligjin për buxhetin vlera e përgjithshme e deficitit financiar është paraparë të jetë 226 milionë euro. Sipas ndryshimeve të paraqitura në raportin e përkohshëm të shpenzimeve janar maj 2011, vlera përfundimtare e deficitit pas rritjes së totalit të shpenzimeve pritet të kalojë në 296 milionë euro pas prishjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vlera financiare e deficitit mund të shkojë deri në 450 milionë euro për shkak se Qeveria Thaçi e ka humbur të drejtën e tërheqjes së 156 milionë eurove të kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Në Ligjin për buxhetin, me po të njëjtat mjete ishte planifikuar të bëhej mbulimi i pjesshëm i deficitit financiar vjetor. Ish deputeti, njëherësh eksperti i çështjeve ekonomike Driton Tali, vë në pikëpyetje shitjen e PTK-së në vlerën prej më shumë se 450 milionë eurosh në mënyrë që shteti të mos ngelë pa financa. Sipas raportit të përkohshëm të shpenzimeve të publikuar nga Ministria e Financave, Qeveria ka shpenzuar e 400 milionë eurove brenda pesë muajve. Për paga ekzekutivi ka shpenzuar 115 milionë euro, ndërsa për investime kapitale ka shpenzuar 123 milionë. Në raport thuhet se brenda kësaj periudhe janë realizuar 27 për qind të pagesave derisa përqindja e të hyrave të gjithëmbarshme është në masën prej 38 për qind.

Nga Doganat e vendit brenda pesë muajve janë inkasuar 279 milionë euro, ndërsa nga Administrata Tatimore janë vjelë 106 milionë euro. Në përgjithësi, Qeveria ka arritur të inkasojë 479 milionë euro. Sipas raportit bilanci bankar i kësaj periudhe është 79 milionë euro.

SHPËRNDAJE