Qytetarët e dëshmuan se nuk mund t’i frikësojë qeveria, dhe se janë të qëndrueshëm përkundër kushteve të vështira që i shkaktoi policia.

Masiviteti i protestës së djeshme tregon vullnetin e popullit për reciprocitet me Serbinë përkundër Qeverisë e cila po i nënshtrohet asaj. Përkundër gjithë luftës propagandistike të Qeverisë para 14  janarit e veçanërisht në javën në mes 14 dhe 22 janarit përfshirë këtu edhe vendimin antipopullor të Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar reciprocitetin me Serbinë, qytetarët e dëshmuan që e duan Kosovën të barabartë më Serbinë, dhe e duan Kosovën republikë me sovranitet të plotë.

Me 14 janar, urdhrat e qeverisë ishin shumë më të dhunshëm, mirëpo me 22 janar ata ishin më çnjerëzor. Kjo dëshmoi që intervenimi i dhunshëm me 14 janar ishte bërë me urdhër politik. Kjo tregoi që askush s’ka pasur nevojë të lëndohet, arrestohet, dënohet ose plagoset me 14 janar. Kjo tregoi që për të gjitha plagët dhe dëmet e 14 janarit, përgjegjëse është Qeveria e Kosovës.

Edhe këtë herë policia ishte tërësisht antiligjore. Duke mos ndërhyrë dhunshëm në protestë, pra duke pranuar se protesta ishte legjitime, paqësore e ligjore, ajo e luftoi çdo mjet për ekzistencë të protestuesve: ushqimin, ujin, batanijet, tendat, gjeneratorët, reflektorët, etj. Qeveria iu tha qytetarëve, keni të drejtë të protestoni, por nuk keni të drejtë të hani, të pini, e as të ngroheni.

Sërish policia e bllokoi lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e lirë në mënyrë të trefishtë: nuk lejoi ardhjen e aktivistëve nga Shqipëria, të cilët i ndaloi në kufi dhe i arrestoi 7 prej tyre; përsëri u instaluan postblloqe gjithandej rrugëve që shpien për në Merdar dhe te Dheu i Bardhë; u bllokua rruga disa kilometra para këtyre dy pikave kufitare nga kordonët policore që nuk lejonin as protestuesit të marshojnë paqësisht, e as kalimtarë të rastit që të ecin në anën tjetër.

Edhe njëherë i falënderojmë të gjithë qytetarët dhe protestuesit paqësorë që dëshmuan kurajo dhe vullnet në mbrojtje të Republikës sonë, për prodhimin vendor dhe kundër hyrjes së Serbisë në Kosovë.

SHPËRNDAJE