Qeveria kerkon terheqjen nga postet e gjithë atyre te implikuar ne krim

Qeveria e Kosovës pritet të kërkojë dorëheqjen e krerëve të Postëtelekomit dhe doganës, pasi Eulex ka ngritur aktakuzë për keqpërdorime.

Burime të qeverisë thanë se në komunikimet e para pas aktakuzës më Shyqyri Haxhën, Rexhë Gjonbalajn dhe me Naim Huruglicën është folur edhe për mundësinë e dorëheqjeve.

Por, sipas të njëjtave burime, përderisa zyrtarisht nuk është dhënë informacioni dhe nuk është konfirmuar aktakuza, nuk do të ketë as veprime rreth pozicioneve të tyre drejtuese.

Prokuroria speciale e Kosovës nën dyshimin për korrupsion ka ngritur aktakuzë për drejtorin e bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, drejtorin ekzekutiv Shyqyri Haxha si dhe për pronarët e kompanisë “Devolli”, Blerim e Shkëlqim Devolli, si dhe të një personi tjetër. Po ashtu, për korrupsion aktakuzë është ngritur edhe ndaj kreut të doganave Naim Huruglica . Burime brenda ekzekutivit të vendit i kanë thënë Radio Kosovë se qeveria pritet t’u kërkohet dorëheqja Gjonbalajt, Haxhajt dhe Huruglices .

Aktakuza ngarkon shefin e bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalajn dhe drejtorin ekzekutiv Shyqyri Haxhën për lidhje të kontratave të dëmshme për PTK-në me kompaninë Devolli për rrjetin mobil virtual “Dardafon”. Ata akuzohen po ashtu për shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.

Aktakuzë, gjithashtu për mashtrim dhe krim të organizuar, është ngritur edhe ndaj pronarëve të kompanisë “Devolli”, Blerim e Shkelqim Devolli.

Ndërsa drejtori i Doganave, Naim Huruglica dhe shefi Zyrës Ligjore Lulzim Rafuna dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim të autorizimeve ekonomike në një rast të importit të duhanit në dhjetor të vitit 2008.

Zyrtarisht asnjë nga të akuzuarit nuk është prononcuar rreth akuzës. Përgjigje për këtë çështje nuk kanë dhënë gjithashtu asnjë nga zyrtarët përgjegjës në ekzekutivin e vendit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni