Qeveria fton diasporën që të investojë në Kosovë

Katër ministra të Qeverisë së Kosovës ftuan sot diasporën kosovare që të investojë në Kosovë, duke thënë se në Kosovë janë krijuar kushte të favorshme për investime të huaja. Komentet u bënë në konferencën “Tërheqja e investimeve nga diaspora”, organizuar nga Ministria e Diasporës, Oda Ekonomike dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim.

 

Përveç parave të gatshme që i dërgon për familjet e tyre, diaspora kosovare duhet edhe të investojë në Kosovë. Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha se vendi ynë ka kapacitete të mjaftueshme për investime, ndërkaq qeveria do të punojë edhe më tutje për përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se diaspora është fuqia më e madhe investuese që ka Kosova dhe potenciali i saj nuk është shfrytëzuar ende sa duhet.

Përderisa në fillim të konferencës kishte probleme të furnizimit me energji, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se Kosova ka nevojë për investime në fushën e energjisë por edhe në fusha tjera.

Edhe ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci bëri thirrje për investime në sektorin e bujqësisë, si një sektor me potencial të madh ekonomik dhe për hapjen e vendeve të punës.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtarë për Migrim, jashtë vendit jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë, pjesa dërmuese e të cilëve kanë status legal, kurse gjysma e tyre shkojnë për të punuar. Gjatë vitit 2010 dërgesat e tyre arrinin mbi 511 milionë euro. /rtk/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni