Shkruan: Dr. Hatixhe AHMEDI

“Mos u mundo të jesh si një njeri i suksesshëm, por mundohu të jesh njeri me vlera.” Einstein (Ajnshtajn)

Disa njerëz janë me shumë vlerë, janë shumë të dashur, saqë edhe kur nuk je me ta nuk mund t’i harrosh. Edhe pse nuk je afër tyre, në memorien tënde në vetvete flet me ta, dhe këtë ta mundësojnë sjelljet dhe veprat e tyre që gjithmonë mbeten të skalitura.

I tillë ishte edhe zotëri Qerim Qerimi, ai ishte një njeri që kudo që shkonte, i bënte njerëzit për vete, falte dashuri dhe buzëqeshje, mbillte harmoni dhe paqe në mesin e njerëzve. Që kur isha e vogël, mbaj mend se kur ky burrë vinte në shtëpinë tonë, mbarë shtëpinë e kaplonte një gëzim, ne pasuroheshim me informacione dhe ngjarje që nuk i kishim dëgjuar kurrë, të cilat më vonë do të mbeteshin gjithmonë të ngulitura në bagazhin e memories sime. Ai kishte një diapazon shumë të gjerë, ishte një profesor që do ta mbajë në mend koha sepse posedonte aftësinë e ndërlidhjes së shkencave, por ishte edhe një vrojtues i pakrahasueshëm i politikës së kaluar dhe asaj aktuale. Ai ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve që ndodhën në Preshevë, në rrethinën e saj dhe në mbarë trojet e Luginës, Kosovës dhe Maqedonisë. Përvoja e tij që kur ishte nxënës, e më vonë edhe si profesor i pakrahasueshëm do t’i mundësonte atij që të krijojë një personalitet prej një intelektuali që do ta mbante në mend koha dhe të gjitha gjeneratat të cilat i mësoi. Këshillat dhe fjalët e tij ishin të arta. Ishte gjithnjë afër njerëzve, të cilët i donte dhe e donin pa fund, ata qanin hallet së bashku me të, por ky ua mundësonte një gjë të tillë meqë ishte i afërt, ishte modest dhe shpresëdhënës.

Emri i tij ishte Abdulqerim që d.m.th. “rob fisnik”, por edhe në jetën e vërtetë ai gjithmonë mbarti virtytin e fisnikërisë, lartësisë dhe dinjitetit. Mësuesit e gjeneratave të para ishin ata që vendosën shtyllën dhe themelin e edukatës dhe kulturës së kësaj rinie, ata ishin prijësit e përgjithshëm të dijes që ne zotërojmë sot. Në të kaluarën nuk ka pasur kompjuter, dhe mungesa e librit dhe e shtypit ishte shumë e dukshme, por të gjitha këto kompensoheshin me prijës si zotëri Qerimi, i cili çdo detaj që e lexonte me ngulm do t’ua shpjegonte nxënësve të tij, por edhe mbarë familjes së tij.

Ah, sa shumë gëzohesha kur ky njeri vinte tek ne, gëzohesha sepse ishte shumë i papërtueshëm për të shpjeguar gjëra interesante dhe shumë tërheqëse për mua, madje i përgjigjej pa përtesë pyetjeve të cilat i bëja. Ishte pedant dhe i kujdesshëm si në fjalë, veshje dhe në sjellje, thënë më shkurt ai ishte një mësues dhe intelektual që do ta mbajë në mend e gjithë Presheva dhe mbarë shqiptaria.

Zotëri Qerimi ishte një burrë i cili prej kohësh e kishte kuptuar se njeriu nuk mund të arrijë dhe të bëhet i suksesshëm duke qenë i vetëm, por suksesi i tij do të fitojë kuptim kur do të krijojë një rreth, kur të gjitha gjërat që ai i di për vete do t’ia shpërndajë edhe të tjerëve që më pas nuk do ta harrojnë kurrë.

Ai ishte një person që në personalitetin e vet arriti të ngërthejë suksesin dhe vlerat. Rrallëherë gjenden njerëz si ai i cili i pati të dy virtytet. Familjes, farefisit dhe shokëve u doli në mbrojtje, u shoqërua me ta, dhe kurrë nuk i humbi lidhjet me ta. Ai e dinte dhe e kuptonte njeriun ashtu siç merrte vetë frymë. Kurrë nuk të linte që të ndiheshe i vetmuar. Me plot kuptimin  e fjalës, ai ishte njeri i suksesit dhe vlerave, dhe kuptohet që këta njerëz nuk janë kurrë vetëm, por kanë edhe të tjerë që i rrethojnë, pra farefisin dhe miqtë nuk dëshirojnë t’i lënë të vetmuar. Ai njeri ishte i lidhur me rrethin dhe karrierën e tij, ku që të dyja këto asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk do t’i linte të ndaheshin prej tij.

Teksa njerëzit e tjerë interesoheshin të dinin se çfarë ke veshur apo çfarë marke veture ke etj., zotëri Qerimit i interesonte gjendja shpirtërore e njeriut, nëse ishte i qetë, e nëse jo mundohej se si ta qetësonte atë njeri. Kjo kishte ndikuar që ai të kishte një numër të madh njerëzish të dashur duke filluar nga farefisi, shokët dhe nxënësit që e donin shumë, dhe e kishin shumë pranë me zemër. Këtë afërsi e kishte krijuar sakrifica dhe flijimi i tij i përhershëm në çdo aspekt, sepse sa herë që ata kishin nevojë për të, ai do të ishte me ta, do të gjendej përballë problemit ose gëzimit të tyre. Ishte një person që mbante lidhjet dhe ndante brengat e hallet shoqërore. Kudo që shkonte gjallëronte një frymë të re, dhe sa herë që vinte në shtëpinë tonë ai rifreskonte një ngjarje nga e kaluara, ngjarje të cilën nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Ishte shumë e çuditshme meqë shpjegimin e ngjarjes e bënte në detaje, i njihte njerëzit në përgjithësi, por edhe anën pozitive dhe negative gjithnjë mundohej ta shpjegonte duke e arsyetuar atë dhe duke përshkruar rrethanat në hollësi. Autoriteti, fama, arsimi dhe profesionalizimi i tij le të jetë shembull dhe model për gjeneratat e ardhme. Të arrish të ngjitesh në një kulm të tillë suksesi është pika më e lartë e shëmbëlltyrës njerëzore, dhe kjo nuk arrihet pa një arsimim të mirëfilltë dhe një edukatë të ngjeshur me shekuj. Lum për njerëzit si zotëri Qerimi që fundin e jetës së tyre nuk e pritën me një boshllëk, por përkundrazi, e pritën të mbushur dhe të thelluar me plot dhunti e të mira.

Secilin e kishte shok meqë gjithmonë dhe gjithkujt i kishte dhuruar shoqëri. Nuk e donte vetminë, madje as në gjërat që lexonte, nuk do t’i mbante vetëm për veten e tij, prandaj gjithmonë ishte i rrethuar me respekt. Ai ishte një njeri i vlerave meqë gjithmonë i çmonte vlerat njerëzore. Ishte i pajisur me një karakter të fortë, me ndërgjegje të pastër dhe të pathyeshme. Nxënësit dhe familjen e tij gjithmonë i kishte këshilluar për hir të Zotit, prandaj edhe kishte arritur të fitonte respektin e tyre. Me vite të tëra ai kishte vepruar dhe kishte arritur në piedestalin që kishte deri në ditën kur vdiq. Prej tij, unë kuptova se njeriu mund të jetë edhe i suksesshëm edhe të posedojë vlera. Dhe ky është suksesi i vërtetë, kur arrin të bëhesh njeri i vlerave dhe idealeve të çmuara. Ai ishte një njeri që kur dikush rrëzohej në moment do t’ia shtrinte dorën e ndihmës. Prandaj për ne farefisin, shoqërinë dhe mbarë popullin nuk është i lehtë largimi i një njeriu të tillë, sepse zotëri Qerimi na dha shumë nga vetja e tij të gjithëve, na dha më të çmuarën, atë që nuk do të harrohet deri në vdekje, pra diturinë.

Po, nga ky person kuptova se njeriu mund të ketë edhe vlera por edhe të jetë i suksesshëm, dhe suksesi i vërtetë qenka ky. Presheva humbi me të vërtetë një njeri shumë të aftë, një burim dije dhe informacioni që me shumë zor do të zëvendësohet.

Më ka pëlqyer shumë thënia e profesor Nehat Hysenit për të kur thotë: “…Zotëri Qerimi nuk ishte vetëm mësimdhënës i shkëlqyer. Me përvojën e tij të madhe jetësore ai na shërbente si enciklopedi e gjallë duke na sqaruar dhe duke na dhënë informacion tejet të vlefshëm sidomos për periudhën e viteve të 30-ta e deri në vitet e 80-ta të shek. XX që na shërbenin për punime shkencore e publicistike. Kështu ai plotësonte boshllëkun nga vesi ynë i keq që në Preshevë të mos themelojmë asnjë arkiv dhe të mos kujdesemi ndaj mbamendjes kolektive dhe ruajtjes së dokumentacionit. Andaj, me vdekjen e z. Qerimit kemi humbur një enciklopedi shumë të begatshme dhe të pashtershme që do të na mungojë shumë. Ndërkaq, çarshisë së Preshevës do t’i mungojë një zotëri i lindur, pedant dhe gjithnjë me humor të mirë. Familjes së tij i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, duke uruar që dhembjen për humbjen e tij ta zbusë krenaria për jetën dhe veprën e tij.”

Po, vërtetë për të gjithë qenka e vështirë të largohet nga mesi yt një njeri aq i mirë. Allahu e shpërbleftë me Xhennet, ashtu modest siç ka qenë ai.

SHPËRNDAJE