qajjaaAndon Zako Çajupi – komedia “14 – vjeç dhëndër”

Çajupi është i pari shkrimtar i Rilindjes, që shënoi në letërsinë shqipe kthesën prej romantizmit në realizëm. Gjithashtu ai hodhi themelet e komedisë shqiptare, duke i dhënë një përmbajtje dhe formë të re dramës, nëpërmjet këndvështrimit realist e kritik, si dhe humorit të thellë popullor..

Te “Baba Tomorri” (1902), përmbledhje poetike, është edhe komedia “14-vjeç dhëndër”, në të cilën Çajupi trajton temën e katundit shqiptar, duke ballafaquar ankthin e ekzistencës të ndeshur ashpër me afshin e jetës. Në këtë ndeshje të papërballueshme portretizohet drama e krijimit të familjes si dramë e ekzistencës. Problemi është mjaft i rëndë, por autori ka zgjedhur të qajë duke qeshur dhe dhimbjen e mbulon me humor. Me anë të shpotisë e humorit Çajupi godet zakonin patriarkal të martesave në moshë të re.

Nga katër skenat e komedisë, ose pamjet siç i quan autori, e para ka të bëjë me bindjen dhe e fundit me realen.Tana e bind Vangjelin se duhet ta martojë djalin 14-vjeçar me një grua të pjekur, vetëm duke i kujtuar që dhe vetë kështu ishte martuar. Kurse pamja e fundit jep realen, kur djali do gjumë, nusja duhet ta ruajë burrin si një fëmijë.

Çajupi trajton kështu një temë të rëndë shkruar lehtë e me humor, e cila në fund merr karakterin e tragjikomedisë. E keqja është se situata nuk ndërron, por trashëgohet, kalon në dy breza.

Në qendër të komedisë vendoset Tana, e cila është strumbullari i të gjitha veprimeve dhe situatave komike dhe zhvillohet në dy plane:

  • Tana viktimë e mentalitetit të kohës, e lodhur nga ngarkesa e madhe brenda e jashtë shtëpisë
  • Tana kërkon të ruajë këtë gjendje edhe te nusja e djalit, e cila do ta shpëtonte nga stërmundimet e përditshme, duke i hequr një pjesë të mirë të punëve dhe preokupimeve lodhëse.

Një personazh i tillë, edhe pse kalon përmes situatave komike, ngjall trishtim dhe keqardhje. Prapa veprimeve të saj, në dukje qesharake, fshihet një dramë shpirtërore, që do ta jetojë edhe nusja si pasardhëse e Tanës. Kjo e bën Tanën njëherazi viktimë dhe bartëse të mentalitetit patriarkal.

Vangjeli është në komedi përfaqësues tipik i burrave dembelë. Dembellëku, fodullëku dhe njëfarë qëndrimi indiferent ndaj propozimit të Tanës për martesën e djalit, janë një varg cilësish të tij, që, duke u bashkuar, japin një Vangjel qesharak. Megjithatë tek ky personazh gjejmë shkëndija instiktive të përshtatjes me zakonet e reja. Kjo duket sidomos në kundërshtimin që i bën së shoqes për martesën e djalit.

Komedia plotësohet gjithashtu me skena të tjera: Në mulli, Urime, Dit’ e dasmës, të cilat janë të mbushura me sharje, thashetheme e mallkime grash, me urime dhe dolli dasmorësh të dehur, të cilat sjellin një atmosferë mjaft gazmore e të gjallë fshati.

Por kulmin e komizmit të Çajupit, duke na shkaktuar njëkohësisht trishtim dhe hidhërim të thellë, e shënon dialogu i fundit mes nuses 20 – vjeçare e dhëndrit 14 – vjeçar. Dhëndri, duke mos e kuptuar pozitën e tij, e quan nusen herë motër e herë mëmë. Përballë tij qëndron nusja, e cila e di mirë vendin e saj. Kështu, nëse në fjalët e dhëndrit ka pafajësi e naivitet, te fjalët e nuses shpërthen zemërimi për atë martesë.Drama e saj pasqyron dramën e të gjitha vajzave që bëheshin viktima të mentalitetit të mykur.

Një dramë e vërtetë familjare, një martesë e paradënuar të dështojë, sepse nuk është rezultat i lidhjes shpirtërore dhe i pjekurisë seksuale, por i mentaliteteve të vjetra dhe i interesit të prindërve.

Çajupin e ka thurrur veprën e vet mbi bazën e një të folmeje dialektore për të karakterizuar personazhet nga fshati:

  • Trajtat, fjalët dhe sintaksa: pa shukoi shtanë; minjë gdhietë…
  • Për efekt rime: diku rimon punë – unë, ndërsa në vende të tjera e jep sipas dialektit “u”. Ose shkruan të më shojë në vend të të më shohë, për të rimuar me ta shërojë.

Por komedisë, shijen e vërtetë të humorit ia japin mjetet prej të folurit popullor:

  • Idiomat: i hante koka për brirë, i vaftë shpirti në ferra…
  • Fjalë të drejtpërdrejta goditëse me ngarkesë tallëse:Naum kokëshiniku, beu rrënjëdalë…
  • Urimet e mallkimet

Humori buron kështu jo nga urimet e mallkimet në vetvete, por nga kthesa e papritur dhe renditja e tyre në antitezë.

Një mënyrë e veçantë e krijimit të ironisë është edhe përgjigjja, duke rimarrë fjalën e bashkëbiseduesit për t’ia shndërruar kuptimin. Tana thotë se Gjinoja është nga trimat më trim, Vangjeli e rimerr me ironi:Trimërinë s’ia nxë dheu.Në këtë ind përfshihen natyrshëm dhe këngët humoristike folklorike të dasmës, si:Ç’mirë ia bëmë krushkës, që i morëm të bijën”.

Humori krijohet dhe nga befasia dhe kthesat e papritura: Vangjeli gatitet të flerë, ndërkohë që Tana, e cila shtiret fillimisht si e sëmurë, i kërkon të martojnë djalin 14 – vjeçar.

 

SHPËRNDAJE