Kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, tha se është i sigurt se do të fitoj në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit dhe se protestat aktuale kundër sundimit të tij të vazhdueshëm, e kanë bërë atë kandidat më të fortë.

Duke folur në Moskë, para redaktorëve të gazetave të jashtme, ai tha se protestat, që filluan pas raporteve për vjedhje në zgjedhjet parlamentare në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë ndikuar “në reagimin aktiv” në ndjenjat dhe pritjet e njerëzve.

Sipas tij, protestat ishin “një eksperiencë shumë e mirë për Rusinë”.

Megjithatë, zoti Putin, ka refuzuar kërkesat e opozitës për përsëritje të zgjedhjeve të dhjetorit, në të cilat partia e tij e ka ruajtur shumicën në Dumën Shtetërore.

Ai, poashtu, ka përsëritur qëndrimin e tij, se pas fitores së tij të pritur në zgjedhje, në postin e kryeministrit do ta nominoj presidentin në largim, Dmitri Medvedev.

SHPËRNDAJE