Partia për Veprim Demokratik në Luginë të Preshevës ka kritikuar sot bllokun e opozitës në pushtetin lokal të Bujanocit PD-në dhe partitë serbe duke theksuar se ky pushtet largon nga puna oponenetët e tij politik në Bujano, njofton agjncia informative kombetare “Presheva Jone”

Bujanoc,8 gusht

 

 

Në një komunikatë për media PVD dega në Bujanoc thotë se,përjashtimet  nga puna, në komunën e Bujanocit,  kanë vazhduar edhe sot, kur me vendimin e kryeshefit Ismet Ahmeti, janë larguar dy të rinjë shqiptarë, Shuajb Fejzullahu dhe Naim Memedaliu, të angazhuar në zyrën për të rinjtë me projekt deri më 31  dhjetor 2012.

Veç faktit që edhe këta të rinj janë nga radhët e PVD-së, që dëshmon një tendencë patologjike të urrejtjes të pushtetit  lokal ndaj anëtarëve të PVD-së, të personifikuar përsëri me nënshkrimin e kryeshefit Ismet Ahmeti, fjala është për persona  që vijnë nga familjet me situatë të pavolitshme sociale.

Krahas kësaj vale të diferencimit ideo-politik që në emër të pushtetit po e zbaton kryeshefi i administratës komunale, në praktikë ka filluar vala e shantazheve edhe kërcënimeve të drejtpërdrejta të këshilltarëve që vijnë nga  radhët e partive opozitare shqiptare. Këto shantazhe dhe kërcënime, vijnë nga  individë, që në emër të pushtetit, kërcënojnë edhe qenien fizike dhe biologjike të këshilltarëve.

Koalicioni opozitar, së shpejti, po  që se këto presione vazhdojnë, do të bëjë publike edhe emrat e atyre që janë kërcënuar apo shantazhuar, por, edhe emrat e atyre që kërcënojnë dhe ftojnë në të ashtuquajturat “biseda informative” për t’i bindur këta këshilltarë t’i bashkëngjiten pushtetit lokal.

Në këto marifetllëqe janë të përzier edhe drejtor të ndërmarrjeve komunale që i kanë dhënë vetes rolin e policëve politik. a.i.

SHPËRNDAJE