Nga ALEKSANDËR CIPA

Ky është një akt i pastër politik dhe që në jehonën e paramenduar të tij fshihet qëllimi për të nisur fushatën e ndërtimit të imazhit të së drejtës serbe në raport me krimet shqiptare. Dhjetë shqiptarët e arrestuar prej forcave speciale serbe, madje të vetëfilmuara si në kohën e arrestimeve diktatoriale, në orë nate dhe gjumi, u bashkëshoqëruan në makinat e blinduara serbe, duke çelur siparin e një dëshmie të grumbulluar qëllimisht me kohë vonesë, prej Beogradit.

Serbia tenton në këtë akt të parë të hedhë akuzën abuzante mbi shqiptarët. E theksojmë, akt të parë, pasi gjasat janë që në ditë të ardhme drejtësia e komanduar serbe të shpalosë akuza të tjera për ndodhi të tjera në adresë të shqiptarëve. Në këtë mënyrë rishpallet prej Beogradit kërcënimi se krimet e luftës mbi serbët, janë dosja e hapur zyrtarisht dhe që nuk mund të shmangen të akuzuarit shqiptarë. Për këtë qëllim makina hetimore dhe ajo politike në Serbi, veprojnë në sinkron dhe mëvetësishëm, duke pretenduar që në kohën e afërt të ridimensionalizojnë propagandikisht në sytë e botës krimin e pandëshkuar shqiptar.

Skenaristët kanë qenë mendjemprehtë. Kanë zgjedhur një ngjarje të bujshme të kohës së krimit të tyre. Në këtë mënyrë me “një gur po vrasin më shumë se 10 zogj”. Ngjarja e Gjilanit është tronditëse, por më së shumti e mistershme. Vrasjet tragjike të ndodhura u përkasin dosjeve kriminale që Beogradi i hapi atëherë kur i duhej dhe jo atje ku duhej. Seriali i akuzave që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ngriti kaq vite ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe udhëheqësve politikë, hallkë pas hallke rezultoi një provë e fituar pafajësie.

Mos harrojmë se serbët ia dolën që në Tribunalin e Hagës të paraqiten dhe të përballen me mbrojtjen e pafajësisë së tyre disa prej emrave më popullorë të luftës së Kosovës në 1999, madje mes tyre edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ndërkohë që kriminelët realë serbë të asaj masakre etnike një pjesë ikën të pagjykuar nga kjo jetë dhe një pjesë mbeten ende në kërkim ndërkombëtar. Serbia, kur Gjykata e Hagës po i kryente proceset gjykuese për shqiptarët njëri pas tjetrit, nisi sa për propagandë të ndërmerrte disa procese gjykuese për ish-ushtarakë të operacioneve në Kosovë, të cilët gjithsesi nuk ishin ideatorë, por ekzekutues të urdhrave gjenocidiste. Procesi paralel që nisi Beogradi, i ashtuquajtur për krimet e Luftës, mbetet ende alibi për fajësimin e shqiptarëve të Kosovës. Ky proces u ngadalësua disi, ose u la në harresë gjatë viteve 2003-2008, vetëm e vetëm për të mos rënë pre e sfidës që ofronte Tribunali i Hagës për krimet serbe të provuara. Kreditet e së drejtës shqiptare në raport me atë serbe u ridëshmuan si të pakrahasueshme dhe natyrisht rezultuan si në raportin përballës mes viktimës dhe kriminelit, gjatë seancave të zhvilluara nga Gjykata Ndërkombëtare. Kjo arsye e rëndoi edhe më shumë Serbinë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është ende në fuqi detyrimi që ka ky shtet për dorëzimin e kriminelëve të luftës në Hagë.

Rikthimi i Beogradit në kësi arrestimesh dhe për kësi akuzash, siç është ky i 10 shqiptarëve të Preshevës, duhet lexuar si pakthyeshmëri nga rruga e mëkatësive që prodhon sindromi i mbishtresëzuar nacionalist në veprimet institucionale. Ky gjest është edhe një karshillëk që Serbia po u bën institucioneve dhe më së shumti organizmave ndërkombëtarë që monitorojnë dhe janë bashkadministratore të situatës në Kosovë dhe në mjedisin rajonal.

Arrestimi i 10 qytetarëve shqiptarë të Preshevës është së pari një akt politik i montuar dhe dhunues i së drejtës së qytetarëve të pakicës sonë etnike, por gjithashtu, edhe një provokim për shumë faktorë dhe institucione të tjera. Ky është rikthim në një axhendë të vjetër me mjete po të vjetra dhe që si edhe dikur tentohet të kriminalizohet e drejta shqiptare.

Pse Ministria e Brendshme e Serbisë nuk i cilësoi të arrestuarit si ish-luftëtarë të UCMPB-së, por i shpalli si ish-pjesëtarë të UÇK-së?
 Pa dyshim kjo ka lidhje me qëllimin e përdorimit të akuzës mbi shqiptarët e prangosur, për kontekste të tjera, më përfshirëse dhe më tendencioze. Qëllimin politik të realizuar përmes këtij veprimi, Beogradi po e shndërron edhe në sjellje të rinisur ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të mbetur në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Akuza ndaj ish-luftëtarëve, (ndonëse dikush prej tyre rezulton të mos ketë qenë i përfshirë në strukturat e UÇK-së gjatë asaj periudhe), qëllon gjetkë. Beogradi kërkon të montojë aktin e propagandës së vet për krimet shqiptare mbi serbët, në kohën kur mbi Kosovë vepronte vetëm gjenocidi i tyre. Kohë të vështirë kanë zgjedhur për besueshmëri. Procesi që po nisin ndaj shqiptarëve, bëhet edhe më i vështirë për t‘u besuar, pasi nuk mund të dallohet prej formave të dikurshme të policisë dhe specialeve të Millosheviçit. Ministria e Brendshme serbe pas kësaj mund të çelë edhe një herë dosjet e ish-luftëtarëve të UCPMB-së dhe të rishtojë cikle të tjera arrestimesh dhe prangosjesh, bastisjesh dhe dhunimesh mbi pakicën tonë etnike. Mirëpo, ecja në këtë pistë do të rikthente edhe një herë përballjen konfliktuale dhe përdorimin e forcës ushtarake shtetërore. Penalizimi i së drejtës së ish-luftëtarëve në Kosovë është më shumë se provokim, një agresion që sjell pasoja dhe shton rreziqe. Për këtë arsye, kjo alibi e përdorur në formën e këtij skenari prej Beogradit, tenton të imponojë ndërkombëtarët për dështim dhe tërheqje nga institucionalizimi i Kosovës. Në kësi mënyrash, Beogradi i largohet edhe më shumë nevojës së instalimit të marrëdhënieve partneriale dhe paritetit fqinjor.

Reagimet e menjëhershme të artikuluara prej krerëve politikë të Prishtinës janë më e pakta, por kurrsesi të mjaftueshme. Të gjithë faktorët politikë shqiptarë nevojitet ta denoncojnë rastin e arrestimeve të fundit në Preshevë si një dhunë kolektive mbi shqiptarët, si një rikthim të goditjes shtetërore mbi të drejtën universale të kërkimit të lirisë kombëtare.

Kohëvonesa e reagimit të Shqipërisë ndaj këtyre arrestimeve autoritariste meriton kritikë të fortë. Sikundër kritika meritojnë në këtë rast edhe organizma dhe asosacione që monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe në veçanti raportet e një shteti me pakicat etnike të tij. Vëmendshmëria e mediave tona ndaj këtyre arrestimeve duhet parë si një shërbim për imponimin e respektimit të të drejtave të njeriut në një shtet të rajonit, aq më tepër që në rastin tonë ky vend ka detyrim ndaj të drejtave që meriton një pakicë kombëtare siç janë Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Gjatë kohës së pavarësimit të Kosovës dhe të procesit të njohjeve ndërkombëtare të saj, popullsia shqiptare në këto treva është përballur me një gjendje dhe dhunë të re, të fshehtë e të hapur, prej strukturave të forcës serbe.

Është ora që diplomacia shqiptare e të dy shteteve (Shqipëri-Kosovë) të mbartë denoncimin dhe reagimin në mbrojtje të së drejtës së qytetarëve që akuzohen për një qëllim të ri, prej drejtësisë politike të Beogradit.

SHPËRNDAJE