Juristët e selisë rozë kanë nisur tashmë përgatitjet për atë që mund të quhet beteja e fundit ligjore për bashkinë e Tiranës. Vetës pak orë pasi KQZ-ja zyrtarizoi Lulzim Bashën si fituesin e zgjedhjeve në Tiranë, në zyrat e PS-së ka nisur puna intensive për të përgatitur ankimimin e fundit të vendimit në Kolegjin zgjedhor.

Burime nga PS-ja bënë me dije se përfaqësuesit juridikë po punojnë veçanërisht në objektin e ankimimit, pasi PS-ja pritet të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve, siç u njoftua edhe një ditë më parë nga deputeti Blendi Klosi.

Avokatët duhet të përcaktojnë nëse do godasin vendimin e KQZ bazuar mbi cenimin e integritetit të kutive të votimit që u hapën nga KQZ-ja, apo tek mosrakordimi i shifrave mes numrit të votave të gjetura në kuti dhe numrit të votuesve.

Të mbledhur në selinë rozë përfaqësuesit juridikë të PS-së, sekretarin ligjor dhe anëtaren e PS-së në KQZ, Dëshira Subashi, hartimi i ankimimit bëhet edhe më i vështirë për shkak se nga KQZ-ja ende nuk i është vënë në dispozicion vendimi i plotë i marrë mbrëmjen e së dielës. PS-ja pret gjithashtu të marrë në dorëzim dhe procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së.

Kështu nëse PS-ja do kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre argumentin e saj do ta mbështesë në faktin se mosrakodimi i shifrave nëse gara është e ngushtë të çon në dy rrugë, e para, rinumërim total për të parë shkaqet e mospërputhjes dhe, nëse nuk gjenden këto shkaqe, në përsëritje zgjedhjesh.

PS-ja thotë se në votimet për Tiranën ka 870 fletë më shumë se sa votues, por kreu I KQZ-së, Arben Ristani ka deklaruar se mosrakodrimi i shifrave ka ardhur si pasojë e gabimit njerëzor.

Edhe në mbledhjen ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli fituesin, anëtarja e PS-së, Dëshira Subashi kërkoi numërim të të gjitha kutive të Tiranës.

Mbi bazën ligjore Partia Socialiste ka afat tre ditë për të ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kolegjin Zgjedhor. Pas dorëzimit të ankimimit, Kolegji ka dhjetë ditë afat për të marrë vendimin për padinë.

SHPËRNDAJE