Protestë kundër gjykimeve të padrejta ndaj shqiptarëve

Për shkak të përkeqësimit të dukshëm të gjendjes shëndetësore, dy grevistë e kanë lëshuar zyrën e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë, ku për të dhjetën ditë me radhë po protestohet kundër gjykimeve të padrejta kundër shqiptarëve.
Në ndërkohë, greva po zgjerohet edhe në vende të tjera. Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së “Kalaja” në Tetovë, ka bërë të ditur se prej sot i bashkëngjiten grevës së urisë në Tetovë.

Sot grevistët sërish janë vizituar nga përfaqësues të OSBE-së. FNDNJ një falënderim të veçantë shpreh ndaj mjekut Fatmir Hasani nga fshati Sllupçan, i cili në çdo kohë është i gatshëm t’u ndihmojë vullnetarisht grevistëve sa herë që ata kanë nevojë.
Pas skandalit që ndodhi me refuzimin e ndihmës nga ana e Ndihmës së Shpejtë të Kumanovës, grevistët më heqin dorë nga ky shërbim i cili nuk ka kurrfarë lidhjeje me etikën shëndetësore. Për këtë shkelje të rëndë të të drejtës humanitare, përmes një letre ka reaguar kryetari i ICHR IGFM-së për Gjermani, njëherit sekretar i përgjithshëm i forumit në botë, Karl Hafen, i cili përmes ambasadores së Maqedonisë në Gjermani, Kornelija Utevska Gligorovska, ka kërkuar nga organet përgjegjëse që sa më shpejtë të zbardhet ky rast.

Reagime të ngjashme kanë dërguar deri tek qeveritë respektive edhe sekcionet e IGFM së në Austri dhe Zvicër, përkatësisht Katerin Griev dhe Monika Shleger, të cilat janë solidarizuar me grevën, duke i kërkuar autoriteteve maqedonase që sa më shpejtë të ndërmarrin masa në drejtim të rishqyrtimit të këtyre aktgjykimeve.

Njëherit, ICHR IGFM FNDNJ reagon ashpër ndaj deklaratës së sotme të ministres së policisë G.Jankullovska, e cila pa fije turpi krenohet me aksionin kriminal policor në Brodec “Stuhia malore”, ku u vranë shumë shqiptarë, dhe shumë të tjerë që nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me rastin, janë marrë nga bodrumet e shtëpive dhe janë dënuar me dhjetëra vite burg.

Grevistët do të vazhdojnë me protestën e tyre derisa të del në shesh drejtësia.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni