Qindra qytetarë sot u tubuan pranë Asamblesë së Qytetit të Shkupit për të kundërshtuar vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve të kryeqytetit.

Protesta e qytetarëve ka kulmuar me një incident, me ç`rast qytetarët e revoltuar kanë tentuar të hyjnë në sallën ku po mbahej mbledhja e këshillit të qytetit dhe po vendosej për ndryshimin e rreth 300 emrave të rrugëve, bulevardeve dhe shesheve të Shkupit.

Në këtë incident janë thyer xhamat e dyerve në hyrje të sallës dhe janë lënduar dy punonjës të sigurimit.

Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe deputetët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Në rend dite të mbledhjes së asamblesë së Shkupit ishte ndryshimi i emrave të 32 rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në kryeqytet.

Ndryshimi i emrave është pjesë e marrëveshjes midis VMRO-DPMNE dhe BDI, me ç`rast janë paraparë edhe emra të personaliteteve historike dhe ngjarjeve shqiptare.

Protestuesit theksuan se ndryshimi i emrave po bëhet përmes marrëveshjeve politike, pa u pyetur qytetarët e Shkupit përmes referendumit.

SHPËRNDAJE