Promovohet Enciklopedia për 2500 dëshmorë të kombit

Informatat, emrat dhe fotografitë e 2500 dëshmorëve të kombit që kanë luftuar në Kosovë, Maqedoni dhe në Kosovën Lindore janë përmbledhur në librin “Bardhësitë e Atdheut”. Autori i këtij libri, që ndryshe e quan edhe enciklopedi, është ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Mustafa.

 

Mustafa tha gjatë promovimit të librit që u mbajt në selinë e veteranëve të UÇK-së tha se kjo enciklopedi është krijuar me qëllim që të nderohen dëshmorët që e dhanë jetën për liri.

 

“Enciklopedia gjithëkombëtare me 2500 dëshmorët e luftërave të UÇK-së në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Maqedoni, është libri që ka tubuar dëshmorët brenda kopertinave me qëllim që të nderohen dëshmorët dhe ata që dhanë gjithçka. Pra dhanë jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë. Libri edhe pse pa përkrahjen institucionale deri tash ka pasur 6 ribotime, ndoshta në ekzemplarë të kufizuar, por duke synuar në vazhdimësi që në të ardhmen e afërt libri të ribotohet në mijëra ekzemplarë dhe ai të shpërndahet te çdo familje shqiptare në Kosovë, në trojet shqiptare, në Maqedoni, në diasporë dhe çdokund tjetër” tha Mustafa.

 

Për rëndësinë e promovimit të enciklopedisë “Bardhësitë e Atdheut” ka folur nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj , sipas të cilit Afrim Mustafa me këtë libër ka bërë një punë shumë të madhe.

 

“Unë mendoj që vetëm të thuhet nga një fjalë për 2500 dëshmorë nuk është punë e vogël. Duke mos llogaritur mundin për mbledhjen e këtyre shënimeve dhe vet sakrificën në kohë të vështira që fatkeqësisht i kemi, që fatkeqësisht institucionet tona bëjnë shumë pak në ndihmë të këtyre veprave të cilat janë shumë madhore dhe mendoj se janë ndër më të vlefshmet” ka treguar ai.

 

Sipas tij sado që thuhen fjalë dhe shkruhen libra, ato janë pak për dëshmorët pasi që siq tha Haradinaj ata kanë dhënë jetën për lirinë e kombit shqiptar.

 

Për enciklopedinë e Afrim Mustafës kushtuar dëshmorëve ka folur historiani Hakif Bajrami, sipas të cilit ky libër është një dëshmi e gjallë për luftën heroike të shqiptarëve.

 

“Libri i Afrim Mustafës ‘Bardhësitë e Atdheut’, është një dëshmi me fjalë dhe fotografi, mendon, flet dhe vepron dhe e fton në çdo kohë, në çdo moment, çdo njeri, çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar që në çdo çast i ka borxh atdheut”, tha Bajrami, i cili është resencent dhe redaktor i librit “Bardhësitë e Atdheut”.

 

Ndryshe autori i enciklopedisë, Afrim Mustafa tregoi se synimi i tij është që kjo punë e tij të përkthehet edhe në shumë gjuhë të tjera të botës me qëllim që edhe tjerët ta njohin historinë e kombit shqiptar.

 


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni