http://www.botasot.info/img/heilbronn-eisenach.jpegSiç duket janë ekstremistë të krahut të djathtë ata që kanë vrarë nga viti 2000 deri në vitin 2006, tetë turq dhe një grek në Gjermani. Gjatë hetimeve të rastit pas një zjarrëvënie, policia ka rënë në gjurmët e tyre.

Pas një karavani të djegur dhe një shtëpie të përfshirë nga flakët, copëzat e rebusit u bënë bashkë. Gjatë hetimeve të policisë u shfaqën disa objekte provash të cilat rritën dyshimin, se ekstremistët e krahut të djathtë janë autorë edhe të vrasjes së një policeje në vitin 2007 në Heilbronn, si dhe serisë së vrasjeve ndaj pronarëve të huaj të restauranteve të ushqimit të shpejtë e njohur ndryshe si seria e “vrasjeve në lokalet dëner”.

Prandaj Prokurori i Përgjithshëm federal filloi të premten (11.11. 2011) hetimet: “Ka dëshmi të mjaftueshme që tregtojnë se vrasjet i atribuohen një grupi ekstremist të djathtë”, njoftuan nga Prokuroria e Përgjithshme. Ajo heton në rastet që kanë të bëjnë me mbrojtjen shtetërore, pra aktet e dhunës të motivuara politikisht dhe aktet terroriste.

Vrasje sipas një modeli të njëjtë

Sipas të dhënave të Prokurorisë vrasësit e polices dhe tetë të huajve kanë ndjekur nga viti 2000 deri në vitin 2006 gjithnjë të njëjtin model: aksioni kryehej në pikë të ditës duke qëlluar viktimat në kokë nga një distancë e vogël, për tu larguar pastaj pa lënë gjurmë të mëdha.

Kështu ndodhi edhe me 25 prill të vitit 2007 në Heilbronn ku policja 22 vjeçare Michele K. u vra në pikë të ditës me një plumb në kokë. Kolegu i saj i patrullës atëherë 24 vjeçar, u plagos rëndë dhe ra në gjendje kome për disa javë.

Dy burra kryen vetvrasje

Armët e shërbimit të dy policëve u gjetën një javë më parë në karavanin e djegur pranë Eisenachut, në landin e Turingjisë. Dy burra, të cilët kërkoheshin edhe për plaçkitjen e disa bankave, sipas të dhënave të policisë kanë kryer vetvrasje në karavan. Aty janë gjetur edhe sende të tjera të zyrtarëve. Në të njëjtën ditë, shtëpia në Zwickau të Saksonisë në të cilën kishin jetuar dy plaçkitësit e bankave me miken e tyre Beate Z. u përfshi nga flakët. Disa ditë më vonë 36 vjeçarja, iu dorëzua policisë në Jena. Në gërmadhat e shtëpisë në Zwickau u gjet revolja me të cilën ishin kryer vrasjet e pronarëve të lokaleve që ofrojnë ushqim të shpejtë.


Policja gjermane Micheke K. e vrarë në Heilbronn

Shenja për motive të ekstremizmit të djathtë

Sipas hetimeve të deritanishme, burrat e moshës 34 dhe 38 vjeç dhe partnerja e tyre, tashmë e arrestuar kanë vendosur kontakte me qarqet e djathta ekstremiste qysh në vitin 1990. Në banesën e tyre në Zwickau, janë siguruar prova që flasin për vrasje të kryera me motive të ekstremizmit të djathtë. Prokuroria federale beson se gruaja ishte anëtare e një organizate terroriste. Tani ajo akuzohet për vrasje, tentim vrasje si dhe zjarrvënie me dëme të rënda. Edhe persona të tjerë nga qarqet e djathta ekstremiste dyshohet të kenë qenë të përfshirë në vrasje.

Gjurmë të përgjakshme në mbarë Gjermaninë

Pas vrasjeve të ashtuquajtura “Vrasjet Döner” gjurma e përgjakshme përshkoi tërë Gjermaninë: tre vrasje u kryen në Nuremberg, dy të tjera në Mynih, nga një vrasje u regjistrua në Hamburg, Rostock, Dortmund dhe Kassel. Dhe gjithmonë është përdorur arma e njëjtë. Në rastin e polices së vrarë në Heilbronn hetuesit u munduan katër vjet e gjysëm që të ndriçojnë rastin. Për muaj të tërë ata po kërkonin një “fantazmë”. Fillimisht me vetvrasjen e dy burrave në Eisenach zyrtarët e policisë ranë në gjurmët e para.

A duhej të shkatërroheshin provat?

Beate Z. tashmë ndodhet në paraburgim. Deri tani, ajo hesht për akuzat. Policia dyshon se ajo i ka vënë zjarrin shtëpisë vetëm për të shkatërruar provat. Se ajo dhe miqtë e saj kishin kontakte me skenën neonaziste në Turingji, dihej nga policia. Në vitet e nëntëdhjeta ata kanë qenë aktiv në krahun e djathtë ekstremist, “Mbrojtja e atdheut të Turingjisë” por jo edhe më vonë. Në vitin 1998 autoritetet i humbë gjurmët e tyre. Por tani shtrohet pyetja: Pse dy burra vranë veten pas plaçkitjeve të suksesshme të bankave? Dhe: pse mikja e tyre u dorëzua në polici? Mbi të gjitha: A kanë vepruar ata si treshe e vetme?

Autoritetet: Ata nuk ishin agjentë të fshehtë

Si organi për mbrojtjen e kushtetutës në Turingji ashtu dhe Enti i landit të Saksonisë sqaruan se këta tre persona nuk kanë qenë agjentë të fshehtë. Policia nuk ka qenë në dijeni për vendndodhjen e tyre, që prej largimit nga “Mbrojtja e atdheut të Turingjisë”. Policia dhe prokuroria në Zwickau deklaruan të mërkurën se treshja, e cila është shfaqur me emra të ndryshuar deri të premten e kaluar, nuk ka qenë e njohur për autoritetet. (dw)

SHPËRNDAJE