Bilanci nga përleshjet e fundit mes shqiptarëve dhe maqedonasve është me dy pjesëtarë të lënduar nga policia, ndërsa nga Spitali i Qytetit kanë njoftuar se rreth gjashtë persona të moshave prej 13 deri në 24 kanë kërkuar ndihmë për lëndimet që kanë pësuar në incidentin në Kalanë e Shkupit, theksohet në njoftimin e MPB-së.

Shkup, 13 shkurt / AIK-Presheva Jonë

Bëhet e ditur se lidhur me situatën e tensionuar sonte pritet të mbahet një takim urgjent midis kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Në një njoftim të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) theksohet se gjatë incidentit në Kala, dy pjesëtarë të policisë janë të lënduar, ndërsa ka të lënduar edhe në mesin e protestuesve. Njësitet speciale policore edhe më tutje janë të pranishme në rrethinën e Kalasë së Shkupit, pas incidentit të dhunshëm që ndodhi midis dy grupeve etnike shqiptare dhe maqedonase në këtë lokacion.
“Nga sulmet me gurë janë lënduar dy pjesëtarë të policisë, ndërsa nga Spitali i Qytetit kanë njoftuar se rreth gjashtë persona të moshave prej 13 deri në 24 kanë kërkuar ndihmë për lëndimet që kanë pësuar në incidentin në Kalanë e Shkupit”, theksohet në njoftimin e MPB-së.

Sipas kësaj ministrie, janë siguruar xhirime nga protesta dhe incidentet dhe se gjatë ditëve të ardhshëm do të thirren në biseda informative dhe për përgjegjësi pjesëmarrësit e incidenteve.

SHPËRNDAJE