Një anketë e Institutit për Demokraci Sociale “Progres” në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nxjerr LSDM-në e Branko Cërvenkovskt si parti fituese, ndërsa të dytën, VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Sipas të njëjtës anketë, në bllokun e partive politike shqiptare, BDI-ja e Ali Ahmetit do të ishte partia e parë ndërsa PDSH-ja e Thaçit do të ishte e dyta.

Në pyetjen se, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare për cilin subjekt politik do të votonit? – 22.3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur për LSDM-në, 19.8 për qind për VMRO DPMNE-në, 8.1 për qind për BDI-në, 5.6 për qind për PDSH-në, për RDK-në e Rufi Osmanit do të votonin 2.9 për qind ndërsa për DR-në 2.8 për qind.

15.8 për qind e të anketuarve akoma nuk janë të vendosur se për kë do të votojnë, ndërsa 17 për qind nuk kanë dhënë përgjigje. Në pyetjen se kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 25.7 për qind janë përgjigjur se do të fitojë koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ndërsa 21.4 për qind kanë thënë se do të fitojë koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, për cilën parti do të votonit ?

BDI 8.1 %

PDSH 5.6 %

RDK 2.9 %

DR 2.8 %

LSDM 22.3 %

VMRO-DPMNE 19.8 %

VMRO-POPULLORE 1.8 %

PRSD 0.9 %

PLD 0.3 %

Nuk e di 15.8 %

Nuk kam përgjigje 17 %

Ndaj anketës së realizuar nga Instituti për Demokraci Sociale ‘Progres’, ka reaguar VMRO DPMNE-ja. Nga partia e Gruevskit vlerësojnë se ky institut është organizatë partiake e LSDM-së.

“Të nderuar socialdemokratë, deri atje arritët që të inkurajoni anëtarësinë me anketa të falsifikuara. Branko mundet vetëm në anketa të montuara të ketë mbështetje nga qytetarët dhe kurrsesi ndryshe. Të jemi të sinqertë, e prisnim një anketë të tillë pasi Instituti ‘Progres’ çdo herë paraqitet kur LSDM dhe Branko janë ngushtë. ‘Progres’ nuk është OJQ, por vepron si organ partiak i LSDM-së. Themelues të ‘Progesit’ janë zëdhënësi i LSDM-së Emiljan Stankoviq, sekretari organizativ Aleksandar Çebotarev, anëtarja e këshillit diplomatik të LSDM-së Karolina Ristova Asterud, personi i cili një në dy ditë del në konferenca shtypi Dragan Tevdovski, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Radmilla Shekerinskës, Damjan Manevski e të tjerë”, deklaroi Aleksandër Biçikliski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Në pyetjen tjetër të anketës të instituti ‘Progres’ se; A do të jenë zgjedhjet e 5 qershorit të lira dhe demokratike? 29.3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se zgjedhjet do të jenë të lira, 51.2 për qind vlerësojnë se pushteti do të bëjë manipulime, ndërsa 10.1 për qind vlerësojnë se opozita do të bëjë manipulime. Në pyetjen tjetër rreth refuzimit të debatit televiziv të Nikolla Gruevskit me Branko Cërvenkovskin, 67.6 për qind e të anketuarve vlerësojnë se kjo tregon shprehje e frikës dhe shmangie nga përgjegjësia, 24.3 për qind vlerësojnë se Nikolla Gruevski ka të drejtë dhe nuk ka çfarë të flasë me Branko Cërvenkovskin.

SHPËRNDAJE