Përgatitjet për privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica” kishin nisur që nga viti 2006, por që deri më tani ende nuk kanë përfunduar.

Ky proces i stërzgjatur, sipas njohësve të çështjeve ekonomike ka bërë që kjo zonë turistike të mbetet e pazhvilluar.

Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë theksojnë se sa herë që është folur për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë, gjithmonë është theksuar se një ndër potencialet që do të mund të investonin kompanitë e huaja janë edhe resurset turistike, siç është Brezovica.

Zëvendës drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se me vite kanë kërkuar që të përshpejtohet procesi i privatizimit të Brezovicës, por që kjo çështje kishte ngecur.

“Fillimisht kjo zhargitje ishte lidhur më çështje politike, më vonë me integrimin e komunitet serb që jeton në komunën e Shtërpcës. Në njëfarë mënyre kemi besuar që problemet politike janë eliminuar, dhe kemi besuar që problemet për privatizimin e kësaj qendre kanë kaluar. Por, ka pasur shumë vonesa. Tani është koha e duhur që të fillojë privatizimi”, thekson ai.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkëlzen Lluka, kohë më parë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se privatizimi i këtij kompleksi turistik, do të bëhet gjatë këtij viti.

“Besoj që gjatë vitit 2012 ne do e bëjmë privatizimin e aseteve të ndërmarrjes shoqërore të Brezovicës, kurse për pjesën tjetër, besoj që Qeveria e Kosovës do të nxisë investitorët e huaj, të cilët mund të jenë të interesuar për asetet e ndërmarrjes shoqërore”, ka thënë Lluka.

​​ Ndërkohë, sa i përket mënyrës së privatizimit të kompleksit turistik Brezovica, zëvendës drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thekson se mënyrë më e mirë e privatizimit të do të ishte përmes koncesionit ose përmes partneritet publiko-privat.

“Natyrisht që shteti ose komuna do të mund të kontribuojnë me tokën, pasi që hapësira përreth qendrës Brezovicës është në pronësi publike. Ndërkaq ndërtimi i hapësirave tjera apo infrastrukturës në përgjithësi, të bëhet nga ana e bizneseve apo sektorit privat”, shprehet ai.

Ndërkohë, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pritet që të enjten të paraqesë një masterplan për zhvillimin e kompleksit turistik Brezovica.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se ky masterplan do të sjellë ide për zhvillimin e këtij kompleksi turistik.
“Unë besoj se në muajt në vijim do të kemi një ide më të qartë se cila do të jetë rruga që do ta ndjekim për zhvillimin e Brezovicës. Duhet ta qartësojmë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me privatizimin e resurseve ekzistuese, por ka të bëjë me zhvillimin e kompleksit Brezovia, si një koncept të ri, pra me zhvillimin e resurseve të reja”, thotë për Radion Evropa e Lirë Brendar Nikaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Brezovica është rajon turistik veror dhe dimëror që shtrihet në juglindje të Kosovës, përkatësisht në komunën e Shtërpcës, rreth 60 kilometra nga Prishtina.

Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2,500 hektarë.

Përveç dy hoteleve “Narcis” dhe “Molika”, në këtë qendër ekzistojnë edhe 300 vila, të cilat lëshohen me qira.

Nikaj shpreson se me fillimin e zbatimit të masterplanit, plan ky i cili do të sjellë ide për zhvillimin e këtij kompleksi turistik, do të ketë investitorë të interesuar dhe më pas vizitorë të shumtë.

“Ne shpresojmë se jo vetëm që do të bëjë tërheqjen për investitorët, por edhe për turistët, jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë do t’i kontribuojë zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik, dhe në veçanti komunës së Shtërpcës”, thotë Nikaj.

SHPËRNDAJE