Gazetarët kosovarë kanë protestuar sot përpara Kuvendit të Kosovës, kundër miratimit të nenit 37 dhe 38 në Kodin e ri penal. Sipas tyre institucionet shtetërore po përpiqen të bllokojnë fjalën e lirë, dhe përmes sloganeve kanë porositur institucionet që “t’i ndalin lojërat. Gazetarët e Kosovës nuk do të ndalen, edhe nëse një gjë të tillë e kërkojnë institucionet”.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti, ka vlerësuar se klasa politike e Kosovës kur ka votuar këtë Kod, ka bërë një akt të turpshëm dhe nuk do të ishte e çuditshme, sipas tij, nëse edhe presidentja e bën një gjë të tillë. “Ajo çka mbetet e qartë është se komuniteti i gazetarëve nuk do ta pranojë kurrë kërcënimin me burg dhe nuk do të heshtë karshi kërcënimeve të pushtetit dhe politikës me burg”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se nga sot, gazetarët do ta kenë përkrahjen e të gjitha organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe po ashtu presin përkrahje edhe nga Ambasada Amerikane e akredituar në Kosovë.
23 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE