Presionet ndaj gazetës “Zëri”, i ka kritikuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur të enjten (sot) deputetja e “Vetvendosjes”, Alma Lama. Ajo ka kritikuar sistemin selektiv të gjyqësorit të varur nga politika, duke marr shembull procedimin e rastit të gazetës “Zëri” për pesë ditë pas padisë që i ka bërë kompania e afërt me pushtetin e njërit nga vëllezërit Zhugolli të njohur si financues të PDK-së dhe përfitues të tenderëve njëburimor në KEK.

“Pak ditë më parë, objekt i drejtësisë selektive ka qenë redaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila është paditur nga një kompani e afërt me pushtetin, që ka përfituar për shkak të këtij raporti, jo pak por 75 milion euro nëpërmjet tenderëve një burimore”, ka thënë Alma Lama.

Ajo ka kritikuar Institucionet e drejtësisë duke thënë se ato do të duhej ti ishin mirënjohëse kësaj gazetareje, e cila ka përmbushur misionin e vet duke bërë rolin e watchdogut të institucioneve nëpërmjet sjelljes së fakteve se si shkelet ligji në këtë vend.

“E pas falënderimit do të duhej të nisnin hetimet nga ana e organeve kompetente. Po në vend të kësaj zgjidhet të ndëshkohet mesazheri”, ka thënë Lama.

Ajo ka hapur dyshimet sesi ka reaguar menjëherë gjykata pas padisë së kësaj kompanisë duke proceduar menjëherë rastin kundër gazetës “Zeri”.

“I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gjykatës Ekonomike, për tu marrë me rastin, duke shënuar në një kohë rekord në nisjen e procesit gjyqësor, prej vetëm pesë ditësh. Nuk dua të futem në përmbajtjen e mëtutjeshme të procesit gjyqësor, por ajo që bie dukshëm në sy është nxitimi i gjyqësorit për tu marrë me një lëndë të tillë me kaq urgjencë ndërkohë që më shumë se 200 mijë lëndë janë bërë kapicë nëpër dollapë, e ku palët presin me vite që t’ju vijë radha për gjykim. Mes tyre ka edhe krime të rënda”, ka thënë Lama.

Ajo ka përmendur se Raporti i Progresit i vitit 2011 theksonte se sistemi gjyqësor mbetet i dobët, derisa efikasiteti duhet avancuar.

“Ende ka raportime të kërcënimeve dhe frikësimit të gjyqtarëve, sidomos në rastet e ndjeshme si ato për të drejtat pronësore’ thuhet në këtë raport. Mbase edhe rasti i gjykimit të nxituar të redaktores së Zërit mund të vijë si shkak i frikësimit të gjyqtarit të lëndës, mirëpo kush qëndron pas gjithë kësaj është pyetja”, ka thënë Lama për të shtuar se mbyllja e gojës së gazetarëve është karakteristikë e regjimeve jo demokratike. /Zëri/

SHPËRNDAJE