PRESIDENTJA NË TRANZIT, JAHJAGA NUMËRON DITËT…

PRESIDENTJA NË TRANZIT, JAHJAGA NUMËRON DITËT…

As Atifete Jahjaga, njëjtë si dy ish-paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, nuk do të mund ta çojë deri në fund mandatin e saj si presidente e Republikës së Kosovës. Madje, ajo qysh tani ka filluar t’i numërojë ditët e qëndrimit të saj në krye të shtetit, për dallim nga dy paraardhësit që ishin “rrëzuar” nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Me ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin së shpejti, Jahjag mund të qëndrojë në krye të shtetit më së shumti edhe për gjashtë muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.

Anëtarët e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës thonë se në këtë formë ata do të respektojnë marrëveshjen mbi bazën e së cilës është zgjedhur presidentja dhe e cila e përcakton se pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese brenda gjashtë muajve do të shpallen zgjedhjet.

Anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, thotë se deputetët e angazhuar për amendamentimin e Kushtetutës nuk do t’ia shkurtojnë mandatin presidentes Jahjaga, por do ta përcaktojnë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të mbahen brenda gjashtë muajve.

“Ne nuk e përmendim mandatin e presidentes në amendamente. Ne thjeshtë themi se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve, Kuvendi i Kosovës shpall zgjedhjet e reja presidenciale. Në momentin kur shpallen zgjedhjet presidenciale, përkatësisht kur të zgjidhet një president i ri, ai do ta zëvendësojë presidenten aktuale”, thotë Osmani.

Deputetja e LDK-së thekson se ky neni që do t’i përcaktojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me Kushtetutën.

“Sot më 25 janar Kushtetuta është ajo që tani është në fuqi, mirëpo kur të hyjnë në fuqi amendamentet ajo do të jetë diçka tjetër, dispozitat kushtetuese do të thonë diçka tjetër, pra se zgjedhjet shpallen gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të amendamenteve. Dhe në atë moment ato do të jenë dispozita të cilat duhet t’i respektojë Kuvendi, presidentja dhe institucionet tjera”, shprehet ajo, duke pohuar se për këtë çështje ka unitet të plotë tek të gjithë anëtarët.

Mandati i ri i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, sipas vendimit të kryesisë së Kuvendit do të përfundojë më 20 mars. Deputetja Osmani thotë se pas kësaj legjislativi është i obliguar që ato t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese, e cila brenda dy muajve duhet t’ua vërë “kapakun” atyre.

“Pastaj Gjykata Kushtetuese e ka një periudhë deri në dy muaj. Varet a e përfundon menjëherë apo i shfrytëzon të dy muajt, dhe pasi të kthehet nga Gjykata Kushtetuese tek atëherë mund të votohet në Kuvend”, sqaron ajo, duke pohuar se pastaj brenda gjashtë muajve duhet të organizohen zgjedhjet presidenciale.

Por, avokati Korab Sejdiu mendon ndryshe. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi e parashohin që mandati i presidentes të jetë pesë vjet dhe nëse, në të kundërtën, interpretim për shkelje ose jo të Kushtetutës mund të japë vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Me Kushtetutën aktuale nuk është e qartë se kur mund të ndërpritet mandati i presidentes, mirëpo është e pakuptimtë qa një mandat kushtetues te ndërpritet ma herët se koha e alokuar me Kushtetutë pasi që kjo do të krijonte një pasiguri kushtetuese për të gjithë që fitojnë mandate kushtetuese”, thotë ai, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të parapara askund si njëra nga mënyrat për ndërprerjen e mandatit të presidentes.

Ai thekson se është problem t’ia ndërpresësh presidentes mandatin në gjysmë, meqenëse mandatin e së parës së vendit ajo e ka fituar duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Por, në Presidencën e Kosovës nuk dëshirojnë që ta komentojnë mundësinë që presidentja të përfundojë mandatin në gjysmë, nën arsyetimin se kjo do të mund të cilësohej si ndërhyrje në punën e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës.

“Le ta lëmë komisionin që ta kryejë punën tij në mënyrë të pavarur”, ka thënë nëpërmjet telefonit këshilltari për medie i presidentes, Arbër Vllahiu.

Presidente, mendohu pak!

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se e para e vendit edhe vetë e ka pranuar se është zgjedhur me marrëveshje, dhe se është ajo që duhet ta respektojë atë.

“Edhe presidentja në fjalimin e saj inaugurues, do me thënë në ditën e zgjedhjes në Kuvendin e Kosovës e ka përmendur se ajo është presidente që është zgjedhur sipas rezolutës së Kuvendit që thirret në marrëveshjen e liderëve politikë dhe ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë që ta respektojë këtë rezolutë që nënkupton edhe mbajtjen e zgjedhjeve para se t’i t’i përfundojë mandati i rregullt”, thotë Osmani.(Zëri)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni