Stamboll, 9 maj – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi sapo ka mbajtur një fjalim ne Konferencën e 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, qe po mbahet në Stamboll,Turqi.
Në këtë Konferencë, ku janë të ftuar krerë shtetesh e qeverish të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, do të diskutohet për potencialet, realizimet dhe sfidat e vazhdueshme të vendeve në zhvillim, duke sjellë në vëmendje edhe mangësitë e dobësitë e vërejtura kryesisht në sektorin ekonomik e atë infrastrukturor.
Ne fjalen e tij presidenti Topi ka vlerësuar ndihmesën e vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara në përparimin social e ekonomik të vendeve më pak të zhvilluara, si dhe ka evidentuar arritjet, ambiciet e sfidat e shtetit shqiptar për fuqizimin e gjithanshëm të vendit, përpjekjet për përmirësimin e urave të bashkëpunimit midis Shqipërisë e vendeve të Rajonit Ballkanik e më gjerë, për realizimin e projekteve madhore dhe ato në fushën e energjitikës, mjedisit, infrastrukturës, etj.
Presidenti Topi u ka adresuar pjesëmarresve gjatë fjalës se tij një mesazh te posaçëm lidhur me shtetin e Kosoves dhe te ardhmen e tij:
” Ne ndjekim me shumë motivim një politikë moderacioni në rajon, duke vrojtuar me interes situatën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj edhe faktin se me këto sfida të përbashkëta, po përballet sot dhe Republika e re e Kosovës. Miratimi i rezolutës konsensuale në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës sonë, që mirëpriti mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së saj, e mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial. Ndaj, tani është koha që kjo Republikë e re të përkrahet, mbështetet dhe inkurajohet drejt rrugës së saj të zhvillimit.
Me këtë rast, dëshiroj t’u bëj një thirrje të hapur të gjithë atyre vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës për ta njohur atë. Sot, Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 75 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Ne besojmë se realiteti i ri i krijuar në Ballkanin Perëndimor, me shtetin e pavarur të Kosovës, ka ndikuar pozitivisht në forcimin e paqes dhe sigurisë në këtë rajon, si edhe në krijimin e një fryme bashkëpunimi e prosperiteti, jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë”, ka thene Presidenti Topi.

SHPËRNDAJE