Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar pajisjen me shtetësi shqiptare për mesfushorin shqiptar nga Tërnoci. Gjelbrim Taipi merr pasaportën shqiptare.

Gjelbrim Taipi 19-vjeçari (13/12/1992) nga Tërnoci i Bujnaocit që luan në Kampionatin e Maqedonisë me Shkëndijën është pjesë e ekipit Shpresa dhe cilësohet si një prej talenteve me të ardhme në Kombëtaren U21 të Shqipërisë.“Me lejen e presidentit Bamir Topi, unë dhe Etrit Berisha jemi pajisur me pasaportë shqiptare. Pasaportat duhet t’i marrim gjatë ditës së martë. Jam shumë i lumtur, sepse një gjë të tillë vetëm kam mundur ta ëndërroj”, deklaroi për “Lajm”, Taipi.Ai shtoi se para dhjetë ditësh ka bërë edhe ndeshjet e para në fanellën kuqezi, duke thënë se është pritur mjaftë mirë.“Në Kombëtare jam mirëpritur nga të gjithë, si nga lojtarët, por edhe nga stafi teknik. Kam debutuar ndaj Ukrainës (humbëm 2-0), pastaj luajta edhe një miqësore me Maqedoninë (2-2). Tash po përgatitemi për ndeshjet eliminatore me Portugalinë dhe Rusinë, të cilat ndeshje janë në program më 6 dhe 12 qershor”, tregon 19-vjeçari.Taipi njoftoi se përveç tij me pasaportë të Shqipërisë është pajisur edhe portieri kosovar Etrit Berisha.Duke folur për Shkëndijën, ai tha se ka kontratë me kuqezinjtë e Tetovës edhe për një vit.Vlen theksuar se përveç Taipit, me pasaportë shqiptare janë pajisur edhe dy lojtarët tjerë nga Tërnoci, Arbnor Fejzullahu (U21) dhe Almedin Murati (U17) që luajnë për kombëtaret përkatëse Shqiptare.

SHPËRNDAJE