Presidenti serb, Boris Tadic pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit.
Lajmi konfirmohet nga ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim Caushi në një intervistë për të përditshmën “Danas”.

Në intervistë, ambasadori Caushi sqaron se presidenti Tadic i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.

“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Kjo frymë bashkëpunimi bilateral influencon pozitivisht në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët përfshirë këtu edhe vizitën e presidentit Tadic në Shqipëri” është shprehur ambasadori Caushi.

Vizita do të konsiderohet historike për shkak se do të shënojë vizitën e parë zyrtare të një presidenti serb në Tiranë.

Kujtojmë se në muajin Mars, ishte ministri i Jashtëm i Shqipërisë Iliri Meta i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd.

SHPËRNDAJE