Presidenti Pacolli: Ne jemi të etshëm për investitorë të huaj

 

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli sot në Shkup, mbajti një ligjëratë biznesi në prani të homologut të tij Gjorge Ivanov. Duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve, Pacolli biznesmenëve nga Maqedonia dhe Kosova të mbledhur në biznes forumin maqedono-kosovar, theksoi se burokracia dhe ligjet jo të mira kanë ndikuar që shkëmbimi tregtar midis dy shteteve të jetë i jobalancuar dhe në favor të Maqedonisë.

“Ne jemi të etshëm për investitorë të huaj këta i mungojnë edhe Maqedonisë edhe Kosovës dhe unë e shoh një problem këtu, e shoh në Kosovë në Maqedoni mungon platforma ligjore, mungojnë ligjet dinjitoze, ligje të kuptueshme të cilat e mundësojnë investitorin e huaj pa asnjë hezitim të investon në vendet tona”, tha presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli.


 

Ndërsa presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov u shpreh se shkëmbimi tregtar mes dy shteteve në vitin 2010 është rritur për 41 % në krahasim me vitin 2009.

“Pres që me marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve, kompani nga të dy vendet të marrin pjesë edhe në projekte investuese kapitale, si në bujqësi, energjetikë, infrastrukturë dhe turizëm”, tha presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Biznesmenët nga Kosova thonë se Maqedonia duhet t’i heqë barrierat dhe pengesat kufitare që ka ndaj prodhimeve kosovare, ndërsa afaristët vendas shpresojnë se ky biznes forum do të ndikojë në eliminimin e këtyre pengesave.

“Ne kemi eksport mbi 20 milion në Maqedoni. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull, kjo tregon se këto dy shtete duhet të ulen e të bisedojnë se ku dhe çka janë pengesat të cilat nuk e lejnë Kosovën të jetë me shumë produkte këtu”, tha kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

“Besoj se ekzekutivi ka dëgjuar me vëmendje dhe shpresojmë se do të marrë masa adekuate për çlirimin e ngërçit i cili paraqitet në sferën e qarkullimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve”, tha kryetar i OEMVP-së, Menderes Kuçi.

Shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Maqedonisë vitin e kaluar ka arritur shifrat prej 459 milion dollarë amerikan. Në tregtinë midis dy vendeve dominojnë prodhimet ushqimore dhe ato ndërtimore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni